FSK-ja ofron ndihmë për banorët e fshatit Pouskë pas sulmeve nga ariu i murrmë
Duke iu përgjigjur shqetësimeve të fundit të banorëve të fshatit Pouskë të Komunës së Prizrenit në lidhje me dëmet e shkaktuar nga ariu i murrmë (kafshë e egër e mbrojtur me ligj), Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, përkatësisht Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka emëruar një Komision për vlerësimin e masave që duhet të ndërmerren për mbrojtjen e banorëve dhe pasurisë së tyre të shkaktuara nga ariu i murrmë.
Në kuadër të këtyre vlerësimeve dhe masave MMPH/AMMK ka kontaktuar me shumicën e institucioneve relevante që mundë të ofrojnë ndihmë dhe përkrahje në gjetjen e një zgjedhje të përshtatshme për këtë rast.
Meqenëse ky rast ndërlidhet me sigurinë e qytetarëve të cilët kanë ankesa të vazhdueshme se u rrezikohet jeta dhe kanë pësuar dëme të pasurisë së tyre, MMPH/AMMK ka kërkuar ndihmë dhe bashkëpunim edhe nga Forcat e Sigurisë së Kosovës.
FSK-ja i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese dhe të dielën një ekip nga njësia ndërlidhëse e FSK-së për reagim në rastet e krizave së bashku me disa anëtarë të komisionit të formuar nga MMPK/AMMK, kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Ata kanë vizituar lokacionin dhe janë takuar me banorët e fshatit të cilët kanë pasur dëme nga ariu.
Gjatë analizës së situatës dhe shqyrtimit të nevojave është konkluduar që zgjidhja me e mirë për ta tejkaluar situatën do të ishte ndërrimi i lokacionit për ariun e murrmë.
/Epoka e re/