FSK-ja përfundoi me sukses ushtrimin fushor “Shqiponja 6”
Udhëheqës shtetërorë dhe ushtarakë të Kosovës dhe shteteve partnere kanë vizituar të premten operacionet përfundimtare të ushtrimit fushor ndërkombëtar “Shqiponja 6” në Kastriot, Batllavë dhe Koliq.
Fillimisht në një takim në objektin e MFSK-së, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka mirëpritur gjeneralët dhe oficerët e shteteve partnere dhe drejtues të agjencioneve të Kosovës, me ç’rast i ka falënderuar për bashkëpunimin, koordinimin dhe ndërveprueshmërinë gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të ushtrimit fushor “Shqiponja 6”, ushtrim ky, i pari, si ushtrim ndërkombëtar që është planifikuar dhe ekzekutuar nga FSK-ja së bashku me agjencionet vendore dhe ushtritë partnere të shteteve të ndryshme.
Rama e ka vlerësuar lart zhvillimin e të gjitha aktiviteteve të ushtrimit, duke shprehur admirimin për një bashkëpunim dhe koordinim të të gjithë akterëve në ushtrim, e sidomos ndërveprueshmërinë gjatë realizimit dhe ekzekutimit të skenarëve të ushtrimit.
Komandanti i FSK-së, gjenerali Rrahman Rama, ka thënë se suksesi i ushtrimit është edhe një dëshmi se kjo forcë është e gatshme të marrë detyra të reja.
Gjatë vizitës në operacionet përfundimtare të ushtrimit fushor ndërkombëtar “Shqiponja 6” në Kastriot, Batllavë dhe Koliq ishin të pranishëm edhe ministri i FSK-së, Rrustem Berisha dhe ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, i cili tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që kanë punuar përkrah Forcës së Sigurisë së Kosovës, së bashku edhe me gjashtë shtetet tjera, për të organizuar këtë ushtrim.
“Gjithsej 88 ushtarakë amerikanë janë të përfshirë në ekzekutimin e ushtrimit ‘Shqiponja 6’ gjatë dy javëve të kaluara. Jam tepër krenar për punën e përmbushur nga ushtarakët tanë bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë”, është shprehur Delawie.
Në ushtrimin fushor ndërkombëtar “Shqiponja 6” morën pjesë me njësi ushtarake; Garda Kombëtare e Ajovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kroacia, Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Maqedonia dhe Republika e Shqipërisë, kontingjentet e të cilave u atashuan në njësitë e FSK-së.
Pastaj, Policia e Kosovës, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave dhe Kryqi i Kuq i Kosovës.
Në ushtrimin fushor ndërkombëtar “Shqiponja 6” gjatë dy javëve sa zgjati ushtrimi morën pjesë gjithsej 1 167 ushtarakë me mbi 147 automjete.
/Epoka e re/