FSK-ja përfundon me sukses ushtrimin e fushor “Ujku i nëntorit” (foto)
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) me sukses ka përfunduar ushtrimin fushor “Ujku i nëntorit” në poligonin e stërvitjes në Babaj të Bokës në Komunën e Gjakovës.
Qëllimi i këtij ushtrimi, ishte validimi i njësive të manovrës dhe mbështetjes në nivel kompanie, si dhe njësitë e Rikonicionit në nivel togu, mbështetur me një togë mjekësore (Rol 1) nga Regjimenti i Mjekësisë së Komandës së Logjistikës.
Pjesë e këtij ushtrimi ishin Regjimenti i Parë dhe i dytë të Komandës së Forcave Tokësore (KFT), një togë mjekësore ROL 1 nga Regjimenti i mjekësisë i Komandës së Logjistikës, dhe Regjimenti i Tretë i KFT-së në rolin e forcës opozitare.
Për të parë nga afër realizimin praktik në përmbyllje të ushtrimit ishte zëvendës komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneralmajor Enver Cikaqi, shefi i Stafit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Jeton Dreshaj, drejtori i NALT-it, gjeneralbrigade Joachim Hoppe, zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave Tokësore, kolonel Hysen Dreshaj, zëvendëskomandanti i Komandës së Logjistikës, kolonel Avdi Raci, oficerë e nënoficerë të FSK-së e NALT-it.
Në ceremoninë e përfundimit zëvendëskomandanti i FSK-së gjeneralmajor, Enver Cikaqi, i përgëzoi ushtarakët për realizimin e këtij ushtrimi fushor jashtëzakonisht të rëndësishëm për FSK-në.
“Secili prej nesh kemi familjet tona, por familja jonë e madhe është Forca e Sigurisë së Kosovës, ne jemi vëllezër dhe motra në armë që i shërbejmë kësaj familje, andaj duajeni njëri tjetrin , përkraheni njëri tjetrin, mbështeteni njëri tjetrin në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur që në ditët dhe momentet më të vështira t’i qëndrojmë njëri tjetrit përkrah”, ka thënë Cikaqi.
Niveli i suksesit të këtij ushtrimi fushor është tregues më i mirë i ngritjes së zhvillimit profesional të pjesëtarëve të FSK-së dhe kapaciteteve operacionale.