FSK-ja pjesë e ushtrimit shumëkombësh në Gjermani
Një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës i përbërë nga 12 pjesëtarë që nga 9 gushti është duke marrë pjesë në ushtrimin fushor ‘Zgjidhja e Kombinuar XII’(Combined Resolve XII), në bazën e Ushtrisë Amerikane për Evropë ( USAREUR) që gjendët në Republikën Federale të Gjermanisë.
Ekipi i FSK-së në këtë ushtrim është duke mbështetur Brigadën e Parë të Blinduar Luftarake të Divizionit të Këmbësorisë, në fushën e komunikimit, të personelit, të operacioneve si dhe në fushën e vëzhgimit dhe kontrollimit të zhvillimit të stërvitjes.
Gjatë këtyre ditëve të ushtrimit janë zhvilluar aktivitete të vazhdueshme në ngritjen dhe zhvendosjen e ritransmetuesve, sipas nevojave në mbështetje të operacioneve taktike të Batalionit të Parë Xhenier si dhe bashkëpunimit me Kompaninë e Komunikimit ‘Charlie’.
Ushtrimi ‘Combined Resolved XII’ është ushtrim shumëkombësh i operacioneve të unifikuara tokësore i drejtuar nga shtabi i Departamentit të Ushtrisë së ShBA-ve.
Qëllimi i këtij ushtrimi është stërvitja e forcave të caktuara rajonale të Shteteve të Bashkuara të nivelit të Brigadës, në mbështetje të objektivave të Komandës Evropiane të ShBA-ve për bashkëpunim dhe siguri, ndërtimin e gatishmërisë me aleatët dhe partnerët e NATO-s.
/Epoka e re/