FSK-ja po ngrit kapacitetet luftarake për mbrojtjen e territorit
Në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, Shefi i Departamentit për Operacione dhe Trajnime në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Kolonel Ejup Maqedonci, thotë se stërvitja “Defender Europe 2021”, ka rëndësi të shumëfishtë për FSK-në.
Kolonel Maqedonci, thotë po ashtu se FSK-ja gradualisht është duke ngritur kapacitetet luftarake për mbrojtjen e territorit të Kosovës.
Defender Europe 2021, është stërvitja ushtarake më e madhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Për çfarë stërvitje bëhet fjalë konkretisht?
Ejup Maqedonci: Defender Europe 21, është një stërvitje që drejtohet nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë, që është e dizajnuar për të renditur ndërveprueshmerinë dhe gatishmërinë operacionale, në mes të SHBA-së, vendeve partnere dhe vendeve të aleancës së NATO-s.
Shtrirja e këtij ushtrimi është në tri zona kryesore: në rajonin Baltikut, në rajonin e Detit të Zi dhe në rajonin Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe vendi ynë. Për herë të parë në këtë stërvitje, Kosova është vend pritës i këtij ushtrimi, pra Kosova pret ushtrimin në territorin e saj dhe kryesisht ushtrimet në zonën e Ballkanit kanë të bëjnë me aspektin e mbrojtjes së territorit.
Në Kosovë ushtrimi “Defender 21”, është i fokusuar në zonën perëndimore të vendit tonë, pra në rajonin e Gjakovës, më saktësisht, komanda e lartë e ushtrimeve dhe drejtoria e ushtrimit, kanë qenë të vendosura në Aeroportin e Gjakovës, kurse ushtrimet fushore nga kompania e këmbësorisë e FSK-së, janë zhvilluar në rajonin Babaj të Bokës, në komunën e Gjakovës.
Intervista e plotë: