FSK-ja pranon donacion nga Gjermania në vlerë prej 500 mijë eurosh

11 shtator 2020 | 15:33

Në kazermën “Adem Jashari” të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Prishtinë, të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të donacionit në pajisje mjekësore nga Republika e Gjermanisë për FSK-në. Ky donacion kap vlerën e 500 mijë eurove.

Me këtë rast, ministri i Mbrojtjes Anton Quni, paraprakisht ka pritur në zyrën e tij, ambasadorin e  Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, të cilin fillimisht e ka uruar për detyrën e re.

Më tutje, ai i ka shprehur mirënjohjen e thellë për mbështetjen e përhershme të Gjermanisë ndaj Kosovës.

Quni ka theksuar se edhe donacioni që kanë pranuar të premten është në vazhdën e ndihmës së madhe të Gjermanisë, Ministrisë së saj të Mbrojtjes dhe forcave gjermane për ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e FSK-së.

Ministri Quni ka vlerësuar lart edhe angazhimin e oficerëve dhe nënoficerëve gjermanë në kuadër të ekipit të NALT nën lidershipin e gjeneralit Best, i cili vazhdon traditën e paraardhësve tjerë me profesionalizëm dhe efektivitet të lartë.

“Gjermania si vend mik yni, është njëri ndër partnerët tanë kryesor strategjik dhe se sukseset tona të deritashme, bashkë me partnerët tjerë, janë të arritura të përbashkëta”, ka thënë Quni.Ndërsa ambasadori Rohde, ka ritheksuar zotimin e Gjermanisë për vazhdimin e mbështetjes së FSK-së për të arritur objektivat e saj zhvillimore. Ai ka shprehur konfirmimin për intensifikimin dhe thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral.

Gjatë takimit, ministri Quni shoqërohej nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe drejtori i Departamentit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Integrime Euroatlantike, kolonel Hasan Hoxha. Pas takimit, ministri Quni dhe ambasadori Rohde, kanë marrë pjesë në ceremoninë e pranim-dorëzimit të donacionit në vlerë prej 500 mijë eurove në Regjimentin e Mjekësisë, respektivisht Qendrën Mjekësore të FSK-së.

Gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka falënderuar ambasadorin Rohde dhe stafin ushtarak gjerman për angazhimin e tyre të madh për këtë donacion dhe të gjitha donacionet dhe kontributet e tyre të deritashme për ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së. Kurse ambasadori Rohde ndër të tjera ka thënë: “Është kënaqësi e veçantë që sot, gjatë vizitës time të parë në Ministrinë e Mbrojtjes, në emër të qeverisë gjermane,  kam rastin të dorëzoj një donacion të madh me pajisje mjekësore.

Ky donacion do t’i mundësoj Shërbimit Mjekësor të FSK-së për të ngritur gatishmërinë e FSK-së në mënyrë që ajo të arrijë të ashtuquajturin, kapacitet të ‘Rolit 1’ të NATO-s.

Realizimi i këtij donacioni ka qenë një bashkëpunim gjermano-kosovar në mes të këshilltarëve gjermanë dhe ekspertëve mjekësorë të FSK-së”.  Në fund të kësaj ceremonie, ministri Quni, ka shprehur rëndësinë që kanë këto pajisje për aftësimin e personelit tonë për të qenë të gatshëm gjithmonë për  reagim dhe trajtim të ndërsjellë në operacione dhe shpëtimit të jetërave të qytetarëve.

“Për çdo jetë të shpëtuar do të jemi krenar së bashku”, ka thënë Quni.

Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë edhe edhe zyrtarë dhe oficerë nga ambasada dhe forcat gjermane si dhe nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

Donacioni në fjalë është në vazhdën e mbështetjes permanente të qeverisë dhe forcave gjermane në kompletimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të Regjimentit të Mjekësisë së FSK-së dhe shërbimit mjekësor të saj në të gjitha nivelet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik të cilët punojnë̈…