FSK-ja realizon marshimin dyditor në rajonin e Gjakovës, e gatshme për misionin e saj
Regjimenti i Xhenios i Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka realizuar marshimin dyditor me aktivitete të ndryshme me qëllim të testimit të kapaciteteve të qëndrueshmërisë.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se shtigjet e lirisë frymëzojnë ushtarakët tanë për forcë e qëndrueshmëri maksimale në realizimin e misionit.
“Gjatë marshimit me distancë 30 km dhe lartësi mbidetare deri në 2281m në rajonin e Gjakovës, pjesëtarët përveç sfidave të terrenit malor, ata u ndalën për të bërë homazhe pranë memorialëve të dëshmorëve dhe u njohën për së afërmi me shtigjet e furnizimit logjistik të UÇK-së”, ka thënë ai.
Ministri Mehaj ka theksuar se aktivitetet e tilla testojnë përgatitjen fizike dhe ushtarake të pjesëtarëve të FSK-së, për të qenë të gatshëm në kryerjen e detyrave në bazë të misionit.