FSK-ja realizon trajnim me ushtrinë amerikane për ngritje të kapaciteteve të artilerisë
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), është trajnuar gjatë këtyre ditëve nga ekipi i Security Assistence Training Menagment Organization (SATMO), e ushtrisë amerikane për mortaja.
Trajnimin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.
“Në kuadër të bashkëpunimit bilateral me partnerin tonë strategjik, Shtete e Bashkuara të Amerikës një ekip mobil nga Security Assistence Training Menagment Organization (SATMO) e ushtrisë Amerikane ka realizuar trajnimin me mortaja për pjesëtarët e FSK-së, pjesa teorike është realizuar në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj dhe pjesa praktike në poligonin në Melle të Republikës së Shqipërisë”, ka shkruar ai.
Teksa ka treguar edhe qëllimet e këtij trajnimi.
“Ngritja e kapaciteteve të artilerisë, avancimin e operimit me sistemet e armatimit, ngritja e aftësive taktike, rritjen e saktësisë në objektivat e qitjes me qëllim ngritjen profesionale të pjesëtareve te FSK-së”.
Më 11 maj, Forca e Sigurisë së Kosovës, gjegjësisht Kontingjenti nga Regjimenti i tretë i Këmbësorisë, kishte njoftuar se do të jetë pjesëmarrës në ushtrimin ndërkombëtar “Wfes 2024” që po organizohej në Turqi, ku më pas kishte njoftuar se i njëjti është përfunduar me sukses.
FSK, njoftoi se ushtrimi në fjalë kishte për qëllim prezantimin e aftësive dhe kapaciteteve të forcave pjesëmarrëse të shteteve të ndryshme të koordinuara dhe harmonizuara për misione të përbashkëta paqësore dhe ndërveprueshmërinë në mes tyre.