FSK-ja shpallë fituesit e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2025”

25 prill 2025 | 13:33

Në Kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj është mbyllur “Gara e ushtarit më të mirë 2025” ku u shpallën rezultatet e garës që u realizua nga data 21-25.04.2025, me pjesëmarrjen e 44 konkurrenteve, 23 nga ta ishin pjesëmarrës ndërkombëtarë ndërsa 21 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ekipet e vlerësimit të garuesve, pas përfundimit të të gjitha disiplinave, shpallën edhe fituesit e kësaj gare ndërkombëtare.

Vendi i parë për garuesit nga FSK-ja i takoi OR2 Endrit Shatrolli nga Regjimenti i parë i Këmbësorisë (R1K) dhe njëherit u shpall “Ushtari më i mirë 2025” nga FSK-ja, i dyti u radhit OR2 Arbnor Istrefi ( R3K), ndërsa vendi i tretë i takoi OR3 Aurent Hodaj nga (R2K).

Ndërsa në radhët e ndërkombëtareve vendin e parë e fitoi E4 Jan Vajncer nga Republika e Kroacisë, i cili njëherë u shpall “Ushtari më i mirë ndërkombëtar 2025”, i përcjellë nga Ushtar Hil Mala nga Republika e Shqipërisë, ndërsa i vendi i tretë i takoi SSG Lucas Peterson nga Garda Kombëtare Ajovas së ShBA.

Në ceremoninë përmbyllëse të garës së ushtarit më të mirë morën pjesë, zëvendësministri i Mbrojtjes në detyrë, Shemsi Syla, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Jeton Dreshaj, rreshter majorët e FSK-së dhe vendeve partnere, si dhe oficerë e nënoficerë të FSK-së, dhe të partnerëve ndërkombëtarë dhe të regjionit.

Me një fjalë rasti të pranishmit i përshëndeti Shemsi Syla, i cili ka falënderuar partnerët dhe organizatorët për realizimin e garës.

Në emër të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari të pranishmit i falënderoi zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, i cili theksoi se kjo ngjarje është bërë tradicionale dhe mbahet që nga viti 2014, dhe është një nga qëllimet kryesore të KOMFSK-së. “Edhe kjo garë përmbushë qëllimin e ndërveprimit dhe përkushtimit për të punuar dhe vepruar së bashku me partnerët”, ka pohuar ai.

Gara e “Ushtarit më i mirë 2025” është organizuar nga rreshter majorët e Komandave dhe njësive të FSK-së, nën drejtimin e rreshter majorit të komandantit të FSK-së Bedri Zuka.

Në garën “Ushtari më i mirë 2025” morën pjesë garues nga Kosova, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Kroacia, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i zi.

Pjesëmarrësit garuan në disiplinat: testi fizik, gjuajtje me armë të gjata dhe të brezit, navigim tokësor, kalimi i poligonit të besueshmërisë, hedhja e granatës, ndihma e parë, vëzhgimi i terrenit dhe marshimi.

Pjesëmarrja e garuesve nga ushtritë e vendeve partnere dhe të rajonit tash e sa vite ka krijuar urat e bashkëpunimit dhe ndërveprimit me FSK-në, në misione dhe qëllime të përbashkëta, gara, ushtrime, trajnime misione paqësore, që tregon qartë shkallën e lartë të bashkëpunimit me vendet partnere, që FSK e ka krijuar me punë, disiplinë, përkushtim dhe profesionalizëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, me bashkëpunëtorë,…