FSK-ja shpërndan nëpër Prishtinë mbi 2 000 pako ushqimore të komunës
Drejtori për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj, sot ka mbajtur një konferencë për media, në të cilën ka folur rreth shpërndarjes së pakove ushqimore. Kukaj ka sqaruar se në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës do ta bëjnë shpërndarjen e pakove ushqimore për familjet në nevojë. “Dje kemi filluar një aksion të iniciuar nga Komuna e Prishtinës për shpërndarjen e mbi 2 000 pakove ushqimore. Ne në Komunën e Prishtinës i kemi 1 500 familje me asistencë sociale dhe, po ashtu, ka gati tri javë që kemi lansuar edhe mundësinë për paraqitje të atyre që kanë nevojë. Kemi filluar shpërndarjen e pakove ushqimore deri te shtëpitë e atyre. Aksioni ka filluar dje dhe do të vazhdojë sot dhe përfundon nesër. Janë 100 persona të përfshirë në shpërndarjen e këtyre pakove”, ka treguar Kukaj.
Fiton Kastrati, toger në FSK, ka thënë se po e ndihmojnë Komunën e Prishtinës për shpërndarjen e këtyre pakove në mënyrë që të jenë sa më afër familjeve në nevojë, raporton EO. “FSK-ja është gjithmonë në shërbim të qytetarëve. Edhe gjatë kësaj kohe do të jemi sa më afër qytetarëve”.