FSK-ja stërvitet me ushtrinë shqiptare për garën më të madhe të ushtrive të botës që do të mbahet në Britani
Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), bashkë me një skuadër nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë e në koordinim me ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar kanë realizuar ushtrimin fushor “Camprep24”.
Sipas FSK-së, ky ushtrim është në kuadër të përgatitjeve për pjesëmarrjes në garën “Cambrian Patrol 2024”, ku skuadrat, siç është thënë kanë testuar dhe kaluar sfidat e ngjashme që do të jenë gjatë realizimit të kësaj gare.
“Skuadrat treguan disiplinë, motiv e përkushtim të lartë, duke bërë më të mirën për të përfaqësuar vendet tona në garën më të madhe të ushtrive të botës siç është gara ‘Cambrian Patrol’”, ka njoftuar FSK-ja.
Gara “Cambrian Patrol” realizohet çdo vit në Mbretërinë e Bashkuar, me pjesëmarrjen e një numri të madh të ushtrive nga të gjitha vendet e botës.