FSK-ja vazhdon të mbështetet nga ShBA-ja
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovs (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama është duke zhvilluar vizitë në ShBA.
Në vazhdën e vizitës së tij në Uashington, DC, Rama ka takuar anëtaren e Komitetit të Forcave të Armatosura në Senatin e SHBA-së, Senatoren Joni Ernst.
Me këtë rast, Rama ka falënderuar senatoren Ernst për bashkëpunimin dhe mbështetjen e madhe të ShBA-së dhënë për Kosovën dhe FSK-në në vazhdimësi.
Duke pasur parasysh që senatorja Ernst vjen nga shteti i Iowa-s, në këtë takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin në mes të FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s, dhe mundësinë e rritjes së këtij bashkëpunimi të shkëlqyeshëm.
Po ashtu, në këtë takim është diskutuar edhe rreth situatës së sigurisë në rajon, si dhe rrugën përpara për integrim në strukturat euroatlantike.
Senatorja Ernst e ka përgëzuar gjeneral Ramën për suksesin e arritur në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve të FSK-së dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes së ShBA-së në procesin zhvillimor të FSK-së.