FSK-ja vendos në dispozicion batalionin e mjekësisë në luftën kundër Covidit
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj është takuar me ministrin e FSK-së, Anton Quni, me të cilin ka diskutuar për mbështetjen dhe gatishmërinë e FSK-së për të kontribuar në luftën kundër pandemisë Covid-19.
“Anton Quni më njoftoi se FSK-ja është në gatishmëri dhe ka kapacitete mjekësore e logjistike për të ndihmuar në çfarëdo situate”, ka shkruar Zemaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Më tutje, Zemaj ka bërë me dije se është vënë në gjendje gatishmërie edhe Batalioni i Mjekësisë në kuadër të FSK-së.
“E falënderova z. Qunin për bashkëpunimin tonë dhe ndihmën e FSK-së që po e ofron në këtë betejë me Covid19. I sqarova se Ministria e Shëndetësisë do të përkrah FSK-në me pajisje përkatëse mjekësore dhe në fuqizimin e personelit mjekësor. Me vajzat dhe djemtë e FSK-së dhe të gjithë qytetarët do ta mposhtim virusin”, ka shkruar Zemaj.