FSK-së i shtohen edhe 20 kadetë të rinj
Njëzetë kadetë të rinj i janë shtuar Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ata janë betuar të premten dhe katër vjet më vonë pritet të certifikohen si oficerë të FSK-së.
Nga kadetët e rinj, eprorët kanë kërkuar përkushtim dhe të punojnë për atdheun në mbrojtje të Kushtetutës së Kosovës.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në ceremoninë e betimit ka thënë se me kadetët e rinj do të jetë krenar i gjithë populli.
“Të nderuar kadetë ju do të përgatiteni me karrierë profesionale në shërbim të atdheut. Ju duhet të fitoni zhvillimet e duhura ushtarake, morale fizike e etike. Nga ju pres të jenë kadetë të disiplinuar dhe të dilni të vyeshëm për kombin dhe atdheun, të ngitni flamurin tonë lartë dhe të punoni natë e ditë për të ardhmen e vendit tonë të çmuar”, ka thënë ministri Mehaj.
Ndërsa zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral Enver Cikaqi, ka thënë se Qendra për Studime Universitare (QSU) tashmë ka krijuar historinë e saj me edukimin e oficerëve.
Në anën tjetër komandanti i QSU-së, major Ali Haxhimustafa, ka thënë se kadetët që janë betuar të premten, katër vjet më vonë do të jenë oficerë kompetent me të cilët do të mburret FSK-ja.