FSShK-ja kërkon që para zgjedhjeve të miratohet buxheti për vitin 2021
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK) ka parashtruar sot kërkesë ndaj ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, që gjatë takimit me krerët e partive politike të flasë edhe për një çështje tjetër pos datës së zgjedhjeve. Bëhet fjalë për miratimin e buxhetit për vitin 2021.
“Gjatë takimit me krerët e partive politike, ku do të bisedohet për datën e zgjedhjeve të parakohshme, të kërkoni nga kryetarët e partive që para caktimit të datës së zgjedhjeve të zotohen se partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës do të sigurojnë votat për miratim të buxhetit për vitin 2021, në të cilin do të parashihen edhe shtesat për punëtorët shëndetësorë, të përcaktuara me nenin 20 të Ligjit nr.07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandeminë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës”.
“Miratimi i buxhetit konsiston në stabilitet ekonomik, i cili tani më së shumti i duhet vendit, e sidomos në kohë pandemie kur organet shtetërore janë të mobilizuara në luftimin dhe parandalimin e saj dhe e cila ka kosto financiare”.
“FSSHK paralajmëron se mos votimi i buxhetit për vitin 2021 mund të sjellë pakënaqësi dhe reagime sociale dhe përgjegjës për këto do të jenë vet partitë politike”, është thënë në reagimin e FSShK-së.