FSSHK-ja: Turpi i radhës nga ana e politikbërësve ndaj punëtorëve shëndetësorë
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit ka hequr nga rendi i ditës pikën për aprovimin e shtesave mujore prej 300 euro për personelin shëndetësor për angazhim shtesë për muajin korrik dhe gusht të vitit 2020, të cilët janë të ekspozuar ndaj virusit Covid-19.
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) përmes një reagimi për media e ka theksuar se ky është një vendim skandaloz.
“Kësaj radhe qeveria Hoti në vend se të na ndihmojë në këtë luftë e cila e kapluar popullatën tonë, merr vendime skandaloze dhe provokative.
FSSHK-ja në koordinim të plotë me të gjitha odat e profesionistëve shëndetësorë reagon ashpër dhe kërkon: 1) Që shtesa mujore prej 300.00 euro për personelin shëndetësor të paguhet për muajt maj dhe qershor e jo për muajt korrik e gusht; 2. Që të miratohet me rishikim të buxhetit shtesa mbi pagë konform vlerave të koficientëve që kanë qenë të përfshira në katalogun e Ligjit të shfuqizuar për pagat në sektorin publik deri në aprovimin e Ligjit të ri për pagat në sektorin publik (me disa ndryshime).
“E njoftojmë opinionin e gjerë se FSSHK-ja së bashku me odat e profesionistëve shëndetësor ka tri ditë që ka kërkuar takim me kryetaren e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani në lidhje me kërkesat të cilat do të duhet të miratohen nga deputetët e Parlamentit të Kosovës, por ky takim deri më tani nuk është zhvilluar. Duke qenë të vetëdijshëm se jemi në kohë Pandemie ku të gjithë punëtorët shëndetësor janë të stërlodhur (po ju rikujtojmë se janë të vetmit që nuk kanë pushuar nga muaji mars) e tashmë edhe të ofenduar nga qeveritarët, vendimet e sotme janë më se demotivuese”, është thënë në këtë reagim.
FSSHK-ja ka paralajmëruar veprime sindikale gjë për të cilën është dakorduar me të gjithë profesionistët shëndetësor.
“Në fund, apelojmë tek deputetët e Parlamentit të Kosovës pozitë dhe opozitë që t’i thirrin ndërgjegjes që rishikimin e buxhetit të aprovohet me kërkesat e profesionistëve shëndetësor. Me këto veprime qeveria Hoti në mënyrë të sigurt po e çon shëndetësinë publike drejt kolapsit, gjë për të cilën nuk marrin përgjegjësi punëtorët shëndetësorë”, është theksuar në reagimin e FSSHK-së.
(F.D / Epoka e re)