Ftesa e Kurtit, Halimi: LDK-ja nuk i ik asnjë takimi
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është e përkushtuar që dialogu të përfundoj suksesshëm me njohje reciproke, andaj nuk i ikë asnjë takimi. Kështu ka deklaruar Sibel Halimi, zëdhënëse e LDK-së, duke iu referuar ftesës së kryeministrit Albin Kurtit për takim me liderët e partive opozitare.
“Ashtu siç është deklaruar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, parimisht, LDK nuk i ikë asnjë takimi, prandaj do të marrë pjesë edhe në takimin e ftuar” është shprehur ajo për “EO”.
Halimi ka thënë se LDK-ja do të ketë rol kontributdhënës në dialogun me Serbinë.
“LDK është e përkushtuar që dialogu të përfundon suksesshëm me njohje reciproke, në kufijtë aktual dhe në respektimin e parimeve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në kuadër të kësaj, LDK-ja do të luajë rolin e saj, duke dhënë kontributin në Kuvendin e Kosovës, si parti opozitare. Ky rol i LDK-së karshi dialogut tanimë është i formësuar dhe si i tillë do të prezantohet në secilin format të takimeve”, është shprehur Halimi.