Ftesa e prokurorisë për Mehmetajn, Kusari: Rikriminalizimi i shpifjes s’do të jetë i suksesshëm
Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka reaguar ndaj ftesës që prokuroria ia ka bërë gazetarit Lirim Mehmetaj.
Ajo ka bërë me dije se rikriminalizimi i shpifjes dhe fyerjes nuk do të jetë i suksesshëm.
Kusari ka shkruar se çdo diskutim apo iniciativë për të rikriminalizuar shpifjen dhe fyerjen do të kthente Kosovë me vite mbrapa.
“Rikriminalizimi i shpifjes dhe fyerjes qoftë përmes kallëzimeve penale apo iniciativave ligjore nuk do të jetë i suksesshëm. Për pushtetin tani, për atë të kaluarin dhe atë që do të vjen, këto fakte janë me rëndësi. Në Kosovë, shpifja dhe fyerja ndaj të gjithë personave fillimisht ishte rregulluar në vitin 2003 me nenet 187 dhe 188 të Kodit të Përkohshëm Penal që dënonte shpifjen dhe fyerjen me gjobë ose me burg deri në tre muaj. Pas presionit ndërkombëtar, shpifja ishte dekriminalizuar më 2007 kur ishte miratuar Ligji Civil kundër shpifjes dhe fyerjes i cili kishte hyrë në fuqi një vit më pas”, ka shkruar Kusari në “Facebook”.