Ftesat e Speciales kanë për qëllim njollosjen e UÇK-së
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, është shprehur i befasuar me numrin e madh të ftesave të Gjykatës Speciale për ish-pjesëtarët e UÇK-së.
Ai ka thënë se kjo po bëhet për ta njollosur luftën e pastër të UÇK-së.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Haradinaj ka treguar se nuk kanë pritur një numër kaq të madh të ftesave.
“Shumë individë që po e marrin ftesën nga Specialja po sillen sikur janë duke shkuar në Hagë për ta pastruar luftën e UÇK-së. Këto ftesa, për mendimin tim, nuk kanë për qëllim ta bëjnë pastrimin e UÇK-së, apo ta dëshmojnë luftën e pastër e të drejtë të UÇK-së, por këto ftesa po bëhen për ta denigruar luftën dhe dinjitetin e UÇK-së. Pra, ftesat e Speciales po bëhen për ta njollosur UÇK-në”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka deklaruar se ftesat e shumta të Speciales po ia kujtojnë kohën e Rrahman Morinës.
“Me këto ftesa, për mendimin tim, shihet që e ka humbur kontrollin. Këto ftesa po ma çojnë mallin e atyre thirrjeve në kohën e Rrahman Morinës që kanë qenë blanko, kurse këta hetuesit e regjimit vetëm e vendosnin emrin e personit”, ka thënë ai.
Nënkryetari i OVL-UÇK-së ka treguar arsyet se pse po ndodh ky numër i madh i ftesave të Gjykatës Speciale.
Sipas Haradinajt, po shihet se kjo gjykatë nuk ka prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuza.
“Ndoshta ky fluks i madh i ftesave është për arsye se ata ende nuk kanë arritur të mbledhin materiale të nevojshme për të ngritur aktakuza apo diçka të tillë. Kohët e fundit kanë filluar të thirrin edhe të dyshuar. Në fillim thërrisnin vetëm në cilësinë e dëshmitarit. Ftesat kanë qenë banale. Ka pasur ftesë dëshmitar i dyshuar. Nuk ka askund në botë një term të tillë juridik”, është shprehur ai.
Haradinaj ka kritikuar ata që po iu gëzohen ftesave të Speciales. Sipas tij, një gjë e tillë është mjaft e rëndë.
“Fatkeqësisht, një pjesë e njerëzve po iu gëzohen këtyre ftesave të gjykatës. Ata njerëz qenë hidhëruar edhe kur e patëm nisur luftën. Këtyre qysh atëherë iu ka mbetur hatri. Tani ndoshta kanë arsyeje të gëzohen! Sepse, në njëfarë forme, pas 20 vjetëve iu ka ardhur koha të hakmerren”, është shprehur Haradinaj.
“Epoka e re”: Z. Haradinaj, ftesat e Gjykatës Speciale për ish-pjesëtarët e UÇK-së nuk kanë të ndalur. Cili është qëndrimi i OVL-UÇK-së për këtë trend të ftesave?
Haradinaj: Si duket kjo gjykatë po ngutet ta shtojë punën dhe të tregojë se po punon diçka. Dihet që fondet që iu kanë ndarë kësaj gjykate nuk janë të vogla. Pastaj, është duke ardhur fundi i afatit që e ka për të vepruar, që është viti 2020. Siç dihet, kjo gjykatë deri më tani ka qenë shumë pasive, jo për të mirën tonë, por se nuk ka pasur materiale. Me këto ftesa, për mendimin tim, shihet që e ka humbur kontrollin. Këto ftesa po ma çojnë mallin e atyre thirrjeve në kohën e Rrahman Morinës që kanë qenë blanko, kurse këta hetuesit e regjimit vetëm e vendosin emrin e personit. Tani kjo gjykatë po thirr njerëz që kanë qenë jashtë UÇK-së. E ka thirrur ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahirin. E ka thirrur Driton Lajçin e Zyrës Koordinuese, që është zyrë e tyre. Pastaj, ka thirrur edhe njerëz që nuk kanë qenë fare në UÇK. OVL-UÇK nuk e njeh këtë gjykatë, sepse është një gjykatë e padrejtë. Megjithatë, ne kemi bërë apel që veteranët të bashkëpunojnë me këtë institucion që të mos japim rast për arrestime.
“Epoka e re”: Pas këtyre ftesave ka pasur reagime të ndryshme. Si i keni parë këto reagime?
Haradinaj: Fatkeqësisht, një pjesë e njerëzve po iu gëzohen këtyre ftesave të gjykatës. Ata njerëz qenë hidhëruar edhe kur e patëm nisur luftën. Këtyre qysh atëherë iu ka mbetur hatri. Tani ndoshta kanë arsyeje të gëzohen! Sepse, në njëfarë forme, pas 20 vjetëve iu ka ardhur koha të hakmerren. Sot kjo gjykatë po ua bënë qefin atyre që ne para 20 e sa viteve ua kemi prishur qefin. Dikush nuk ka pasur dëshirë të ketë luftë, ka pasur qejf t’i kenë ende këtu dashamirët e tyre. Po më vjen keq që ata po e shprehin haptazi këtë. Në njëfarë mënyre ata sikur janë duke e pritur edhe kthimin e serbëve këtu sepse t’u gëzohesh ftesave të Speciales për ish-ushtarët e UÇK-së është e rëndë. T’i gëzohet dikush kësaj është e barabartë sikur t’i gëzohet kthimit të Serbisë në Kosovë. Pastaj, edhe shumë individë që po e marrin ftesën nga Specialja po sillen sikur janë duke shkuar në Hagë për ta pastruar luftën e UÇK-së. Këto ftesa, për mendimin tim, nuk kanë për qëllim ta bëjnë pastrimin e UÇK-së, apo ta dëshmojnë luftën e pastër e të drejtë të UÇK-së, por këto ftesa po bëhen për ta denigruar luftën dhe dinjitetin e UÇK-së. Pra, ftesat e Speciales po bëhen për ta njollosë UÇK-në.
“Epoka e re”: OVL-UÇK-ja, a ka ndonjë numër të saktë se sa veteranë janë ftuar nga Specialja, dhe a e keni pritur një numër kaq të madh të ftesave?
Haradinaj: Nuk e di numrin e saktë, sepse lajmërimi për ftesë në OVL-UÇK është në baza vullnetare. Por ajo që dihet është se janë qindra ftesa deri më tani që Specialja ka dërguar për ish-pjesëtarët dhe eprorët e lartë të UÇK-së. Normalisht që nuk kemi pritur numër kaq të madh të këtyre ftesave. Ne kemi pritur ftesa sa për ta arsyetuar ata punën e tyre, por jo deri në këtë masë.
“Epoka e re”: Pse mendoni se po ndodh ky numër kaq i madh i ftesave?
Haradinaj: Ndoshta ky fluks i madh i ftesave është për arsyeje se ata ende nuk kanë arritur të mbledhin materiale të nevojshme për të ngritur aktakuza apo diçka të tillë. Kohët e fundit kanë filluar të thirrin edhe të dyshuar. Në fillim thërritnin vetëm në cilësinë e dëshmitarit. Ftesat kanë qenë banale. Ka pasur ftesë dëshmitar i dyshuar. Nuk ka askund në botë një term të tillë juridik. Serioziteti i kësaj gjykate shihet në këto ftesa, ku teksti është i njëjtë. Këto ftesa ma çojnë mallin e ftesave të Rrahman Morinës, kur ishte izolimi, që ishin blanko dhe veç i mbushnin emrat këta agjentët nëpër komuna të ndryshme për njerëzit që ata i shihnin si të dyshimtë. Teksti i ftesave është i njëjtë si për të dyshuarin, si për dëshmitarin. Pastaj, luajnë me data, një herë në ftesë iu caktohet një datë, pastaj përmes telefonit u tregojnë se u është shtyrë data. Në njëfarë mënyrë kjo gjykatë s’po e trajton Kosovën si shtet. Është duke bërë hajgare me ne.
“Epoka e re”: Është paralajmëruar se OVL-UÇK-ja mund të organizojë protesta për shkak të këtyre ftesave. Kur do të vendosni për këtë çështje?
Haradinaj: Ashtu siç jemi marrë vesh me kryetarin, besoj se të mërkurën do të thirret një mbledhje e Kryesisë së OVL-UÇK-së dhe në të do të vendoset. Sepse ne nuk marrim vendime individuale. Vendimet për protesta i merr kryesia. Aty mund të ketë mendime të ndryshme, por në fund fiton mendimi të cilin e përkrah shumica. Ne duhet ta shqyrtojmë se a na konvenon protesta në gjendjen e brishtë politike që e kemi. Pastaj, për kënd do të protestojmë, për ata që vet e kanë votuar Gjykatën Speciale, apo vetëm për këtë pjesën që tash janë viktima të atyre që e kanë votuar në Kuvend këtë gjykatë.
“Epoka e re”: Po ashtu, është folur se mund të ketë edhe arrestime. A keni ndonjë informatë se kur mund të ndodhin ato dhe pse?
Haradinaj: Ne e kemi pasur një informatë nga disa avokatë të huaj, gjermanë, italianë dhe anglezë, se mund të fillojnë arrestimet. Por, se kur mund të fillojnë, s’e dimë. Së pari ne urojmë që të mos ketë arrestime, së dyti nuk po kuptojnë pse duhet të arrestohen derisa të gjithë po i përgjigjen pozitivisht thirrjes dhe po bashkëpunojnë me këtë gjykatë. Ushtarët e UÇK-së po bashkëpunojnë me këtë gjykatë edhe pse nuk e njohin mënyrën e saj se si është ngritur. Ne nuk jemi kundër hetimeve të krimeve të luftës, por duam që krimet e luftës të hetohen në përgjithësi. E dihet se kush ka bërë dhe ka pasur mundësi të bëjë krime gjatë luftës në Kosovë.
Muhamet KOCI