Ftohet Prokuroria që të hetojë industrinë e naftës në Kosovë
Prej muajsh çmimi i naftës në Kosovë vazhdon të mbetet 1 euro 20 cent. 30 cent më shtrenjtë se vendet e rajonit. Asnjë institucion deri më tash s’ka reaguar pse është kaq i lartë ky çmim. Po dyshohet se bizneset që merren me naftë kanë bërë marrëveshje të fshehtë.
E lidhur me këtë Valon Prestreshi, udhëheqës i Autoritetit të Konkurrencës, ka ftuar prokurorinë që të hetojë industrinë e naftës, kur kompanitë po vazhdojnë të mbajnë çmimet e larta pavarësisht se çmimet e derivateve të naftës kanë rënë në tërë botën.
Nëpërmjet një shkrimi të publikuar në profilin e vet në “Facebook”, Prestreshi ka treguar se nesër do të kërkojë hetime derisa ka treguar dënimin për keqpërdorim të pozitës së monopolit.
Të dashur miq,
Duke e konsideruar se tregu i derivateve të naftës është mjaft i ndihshëm, nesër, po ashtu do ta kërkoj ndihmën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që së bashku ta hetojmë këtë dukuri me kujdes, ata nga këndëvështrimi penal, AKK nga këndëveshtrimi civil.
Kodi penal i Republikës së Kosovës përkatësisht neni 301 citoi: Keqpërdorimi i pozitës së monopolit:
1. Personi përgjegjës që ushtron një apo më shumë nga veprimtaritë ekonomike në vijim, të cilat keqpërdorin pozitën monopoliste apo dominuese në treg apo në një pjesë substanciale të tregut, duke u përfshirë në një apo më shumë nga veprimtaritë në vijim, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet, nëse:
1.1. në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë vë çmime të padrejta të blerjes apo të shitjes ose kushte tjera të padrejta tregtare;
1.2. në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të
tërthortë rregullon çmimet e blerjes apo të shitjes ose kushtet tjera të tregtisë;
Prej dy muajsh, në tregun e Kosovës, çmimi i naftës e benzinës është 30 centë më i lartë se në rajon.
Çmimi në tregun global është më i lirë prej vitit 2016, ku 45 dollarë shitet një barel naftë.