Fundjava në Kosovë me mot të ngrohtë
Fusha të presionit të lartë që po kalojnë mbi rajon, ditëve të fundjavës do të kushtëzojnë mot të ngrohtë dhe kryesisht me diell. Ndërsa nga Mesdheu herë-herë do të depërtojnë vranësira, të cilat mbrëmjen e së dielës mund të shoqërohen edhe me ndonjë rigë lokale shiu, bën të ditur Prishtina Weather.
“Shërbimi i meteorologjisë njofton se të hënën do të mbajë mot edhe më i ngrohtë, e ditën e martë një front i ftohtë që do të kalojë mbi rajon mund të sjellë reshje lokale shiu me bubullima. Sipas parashikimeve të fundit në pjesën e dytë të javës së ardhshme, pritet të depërtojnë masa edhe më të ngrohta ajrore nga Afrika veriore që do të sjellin edhe valën e parë të të nxehtit, me temperatura maksimale edhe mbi 30C”, thuhet në njoftimin e PW.
“Gjatë ditëve të fundjavës depërtimi i një cikloni të fuqishëm mbi Mesdheun perëndimorë, do të sjellë nga shkretëtirat e Saharasë koncentrim më të rritur të pluhurit në ditët e para të javës së ardhshme. Vlerat e çastit të cilësisë së ajrit kohë pas kohe mund të rriten edhe në vlera të pashëndetshme”, njoftoi PW. (A. M / Epoka e re).