Fundjava sportive, Drita sfidohet nga Llapi
Këtë fundjavë do të zhvillohen katër ndeshje të xhiros së 14-t në Superligën e Kosovës në futboll. Derbi ndërmjet Ballkanit dhe Prishtinës është shtyrë shkaku i angazhimeve të ekipit nga Suhareka në garat evropiane.
Liderja Drita pasnesër (e diel) do të sfidohet nga Llapi. Llapjanët janë befasuar nga Dukagjini në mesjavë duke u mposhtur në shtëpi.
Ekipi i Tahir Batatinës ka nevojë për pikë në “Zahir Pajaziti”, për të mos ia vështirësuar punët vetes. Nga ana tjetër, gjilanasit duan të kthehen në shtëpi me pikë të plota për ta ruajtur primatin në ligën elitare.
Dukagjini i motivuar pas fitores në Podujevë, do të shkojë edhe në Gjilan për të marrë pikë. Gjilanasit janë në krizë dhe, po ashtu, kanë shumë nevojë për t’i mbajtur pikët në shtëpi.
Në duelet e tjera të fundjavës ballafaqohen ekipet e pjesës së poshtme të tabelës, Ferizaj e pret Drenicën, kurse Malisheva do të përballet me Trepçën ’89.