Funksionalizohet Ambulanca e Mjekësisë Familjare në Bajgorë
Drejtoria për Shëndetësi në Mitrovicë pas një kohe të gjatë ka arritur të funksionalizojë Ambulancën e Mjekësisë Familjare në fshatin Bajgorë, e cila tashme ka rifilluar punën.
Kjo ambulancë tashme ofron shërbime mjekësore nga ekipi mjekësor, të cilët janë të angazhuar të punojnë rregullisht dy ditë në javë të martën dhe të premten.
Me këtë rast, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Fahri Shabani, ka bërë me dije se përveç funksionalizimit të kësaj ambulance, do të vazhdojnë me funksionalizimin e Ambulancës së Mjekësisë Familjare në Selac, ndërsa pas renovimit të objekteve së shpejti edhe në Vllahi, Zabërgj dhe Rashan.
Po ashtu ai ka potencuar se AMF-ja në Bajgorë përpos rifillimit të punës, Drejtoria për Shëndetësi në planifikimet e saj për investime në Shëndetësi ka paraparë edhe renovimin e tërësishëm të këtij objekti, kjo në kuadër të transformimit pozitiv të shëndetësisë primare të Mitrovicës.