Funksionalizohet endoskopi i ri për kontrollimin e lukthit dhe zorrëve në QKUK
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka bërë me dije se është funksionalizuar endoskopi i ri në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) përkatësisht në Klinikën e Gastroenterologjisë.
Endoskopi i munguar prej tri vitesh në këtë klinikë, ka dy ditë që është futur në funksion dhe tani shërben për kontrollimin e lukthit dhe zorrëve.
Ministri Ismaili ka paralajmëruar se do të monitorojë të gjitha pajisjet që do të blihen për QKUK në mënyrë që të vërtetohet nëse po funksionojnë.
“E kam parë nga komentet e juaja, të dashur qytetarë, se kohë pas kohe po shqetësoheni, me të drejtë, se aparaturat e reja që po i blejmë dhe po i dorëzojmë nuk do të futen në funksion. Duke u nisur nga ky shqetësim i juaji, unë kam marrë vendim që të monitoroj secilën aparaturë të cilën do ta blejmë, ku do të dorëzohet, çfarë funksioni do të kryejë, dhe a po përdoret. Sot vizituam Klinikën e Gastroenterologjisë, të cilës ditë më parë i dorëzuam një endoskop të ri për kontrollimin e lukthit dhe zorrëve. Endoskopi i munguar prej tri vitesh në këtë klinikë, ka dy ditë që është futur në funksion dhe tani kemi rifunksionalizuar shërbimin për kontrollimin e lukthit dhe zorrëve në QKUK, të munguar për shumë kohë. Shërbimi u rifunksionalizua, shpërndajeni që qytetarët që kanë nevojë për të njoftohen”, ka shkruar Ismaili në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/