Funksionalizohet shërbimi i terapisë fikse ortodontike në Qendrën Klinike Stomatologjike
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i shoqëruar nga u.d drejtoreshë Narqize Arënliu-Hoxha dhe kryesuesja e bordit të ShSKUK-së, Aida Rexhepi, ishte i pranishëm në Klinikën e Stomatologjisë ku u shënua “Dita Botërore e Shëndetit Oral” dhe filloi ofrimi i shërbimeve të terapisë fikse në Klinikën e Ortopedisë së Nofullave, shërbim ky që ka munguar në shërbimet stomatologjike publike në Kosovë.
Ministri Vitia po ashtu pa nga afër punën që po bëhet në këtë klinikë në funksion të rritjes se kapaciteteve shëndetësore për ofrimin e shërbimeve sa më cilësore shëndetësore në shëndetin oral.
Ministri Vitia u njoftua nga drejtuesit e klinikës për përgatitjet për fillimin e shërbimin e implantologjisë në Klinikën e Kirurgjisë Orale si imperativ i kohës, ku tha se përveç që është obligim i MSh-së ndaj qytetarëve dhe kostos së lartë që paguajnë qytetarët për marrjen e këtyre shërbimeve, është edhe obligim ligjor në përmbushjen e kurikulës për shkollim specialistik.
“Ju lus të llogarisni në ndihmën time për çfarëdo që varet nga unë si ministër që ky shërbim dhe shërbime tjera siç është përdorimi i Oksidulit të Azotit në procedurat stomatologjike, shërbim për të cilën tashme jemi në finalizim të rregullativës ligjore dhe protokolleve klinike krahas kërkesës nga klinika juaj që ta vëmë në funksion që ky shërbim aq i domosdoshëm të bëhet i mundshëm për qytetarët tanë”, ka thënë ministri Vitia me rastin e shënimit të Ditës Botërore për Shëndetin Oral.
Ministri Vitia ka mirëpritur prezantimin e planit zhvillimor të Klinikës së Stomatologjisë përmes të cilit parashihet që nga ky vit, kjo klinikë të fillojë punën në dy ndërrime duke mundësuar shërbime shëndetësore në periudhë më të gjatë ditore për qytetarët.