Funksionalizohet sistemi i ujësjellësit në fshatin Kryeshefc të Skenderajt
Është lëshuar në funksion ujësjellësi në fshatin Kryshefc të Skenderajt, duke bërë të mundshme furnizimin me ujë të pijes për banorët e këtij fshati, përkatësisht në rrjet të sistemit janë instaluar 100 shtëpi.
Sipas zyrtarit në Drejtorinë për Shërbime Publike të Komunës së Skenderajt, Murat Mehmetit, pas tre muajve punë sistematike, ku është instaluar sistemi i gypave primar nga puseta kryesore e gypit në fshatin fqinj, Polac, për të vazhduar më pas më instalimin individual të shtëpive në rrjetin e ujësjellësit, është finalizuar ky projekt, të cilin e ka mbështet Agjencia e Luksemburgut për Zhvillim Ndërkombëtar – Lux Dev.
Mirëpo, në sistemin e ujësjellësit nuk janë kyçur edhe dy lagje të fshatit Kryeshefc, kjo për shkak të buxhetit të limituar, por edhe për shkak të konfiguracionit të lagjeve.
Megjithëkëtë, mbetet që në një të ardhme shumë të afërt edhe këto dy lagje të përfshihen plotësisht në rrjetin e ujësjellësit, pasi mundësia për kyçje tani është më e lehtë më sistemin e instaluar të ujësjellësit në fshat.
/Epoka e re/