Funksionalizohet Zyra për Rikthimin e Aseteve, në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit
Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit z. Besim Kelmendi mori pjesë në takimin e thirrur nga Udhëheqësi i Zyrës për Rikthim të Aseteve, z. Bahri Hyseni, me përfaqësuesit e institucioneve ligjzbatuese, konkretisht nga Policia e Kosovës, Njësiti për Inteligjencë Financiare, Agjencia për Menaxhimin e Aseteve të Konfiskuara dhe të Sekuestruara, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.
Gjatë këtij takimi u bë funksionalizimi i Zyrës për Rikthimin e Aseteve, e cila është themeluar në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe ofron ndihmë dhe këshilla në gjurmimin e pasurisë, bashkëpunimin me institucione financiare, kontabilitet forenzikë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për arritjen e synimeve të prokurorëve të rastit për kthimin e pasurisë së fituar përmes veprës penale.
Me këtë rast Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, përshëndeti funksionalizimin e kësaj Zyreje, duke falënderuar përfaqësuesit e Institutit të Bazelit për Qeverisje dhe UNDP-së për mbështetjen dhe ndihmën e dhënë në forma të ndryshme për themelimin e Zyrës së Rikthimit të Aseteve dhe shprehu gatishmërinë e tij për bashkëpunim me të gjitha institucionet tjera ligj-zbatuese me qëllim të funksionimit sa më të mirë të kësaj Zyreje.
Poashtu në këtë takim prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njëkohësit Udhëheqës i Zyrës për Rikthim të Aseteve, z. Bahri Hyseni, i njoftoi përfaqësuesit e institucioneve ligjzbatuese me rolin dhe me kompetencat e kësaj Zyreje, ndërkaq zyrtarët e deleguar prezantuan ekspertizën e tyre të deri tanishme.
Temë e diskutimeve të përbashkëta gjatë këtij takimi ishte edhe plani për procedurat standarde të veprimit, hapat e ardhshëm të Zyrës, si dhe planifikimi i aktiviteteve në terren.
Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, të Ambasadës Britanike në Prishtinë, të Zyrës së UNDP-së në Kosovë dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.