Funksionalizohet Zyra për Rikthimin e Aseteve në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit

14 maj 2024 | 11:33

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka marrë pjesë në takimin e thirrur nga Udhëheqësi i Zyrës për Rikthim të Aseteve, Bahri Hyseni, me përfaqësuesit e institucioneve ligjzbatuese, konkretisht nga Policia e Kosovës, Njësiti për Inteligjencë Financiare, Agjencia për Menaxhimin e Aseteve të Konfiskuara dhe të Sekuestruara, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.

Gjatë këtij takimi u bë funksionalizimi i Zyrës për Rikthimin e Aseteve, e cila është themeluar në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe ofron ndihmë dhe këshilla në gjurmimin e pasurisë, bashkëpunimin me institucione financiare, kontabilitet forenzikë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për arritjen e synimeve të prokurorëve të rastit për kthimin e pasurisë së fituar përmes veprës penale.

Me këtë rast ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, përshëndeti funksionalizimin e kësaj zyre, duke falënderuar përfaqësuesit e Institutit të Bazelit për Qeverisje dhe UNDP-së për mbështetjen dhe ndihmën e dhënë në forma të ndryshme për themelimin e Zyrës së Rikthimit të Aseteve dhe shprehu gatishmërinë e tij për bashkëpunim me të gjitha institucionet tjera ligjzbatuese me qëllim të funksionimit sa më të mirë të kësaj zyre.

Po ashtu në këtë takim prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njëkohësit Udhëheqës i Zyrës për Rikthim të Aseteve, Bahri Hyseni, i njoftoi përfaqësuesit e institucioneve ligjzbatuese me rolin dhe me kompetencat e kësaj zyre, ndërkaq zyrtarët e deleguar prezantuan ekspertizën e tyre të deri tanishme.

Temë e diskutimeve të përbashkëta gjatë këtij takimi ishte edhe plani për procedurat standarde të veprimit, hapat e ardhshëm të Zyrës, si dhe planifikimi i aktiviteteve në terren.

Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, të Ambasadës Britanike në Prishtinë, të Zyrës së UNDP-së në Kosovë dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në Samitin…