Funksioni i nyjave
Eroll Sejdiu
Në gjuhën shqipe funksionin e nyjave të mirëfillta, përkatësisht funksionin e individualizimit të një frymori a sendi e kryejnë mbaresat e rasës emërore që shërbejnë për t’i shquar emrat dhe prandaj janë quajtur nyja shquese. Këto janë: -i dhe -u për gjininë mashkullore, -a për gjininë femërore dhe -t(ë) për gjininë asnjanëse.
Meqenëse këto e kanë humbur mëvetësinë dhe janë shkrirë e janë bërë një me emrin, janë shndërruar në morfema trajtëformuese, përkatësisht në ndajshtesa shquese dhe quhen MBARESA.
Ndërkaq, në gjuhën shqipe, për shkak të burimit e të traditës, në kategorinë e nyjave janë përfshirë edhe fjalëzat: i, e, të dhe së, të cilat përdoren para mbiemrave, emrave e disa përemrave dhe prandaj janë quajtur nyja të përparme.
Këto fjalëza nuk shërbejnë vetëm për t’i shquar emrat, por kryejnë disa funksione të tjera. Kështu ato përdoren, si:
Pjesë përbërëse e numrit më të madh të mbiemrave, të cilët për këtë arsye edhe quhen mbiemra të nyjshëm: i,e aftë, i,e mirë, i,e edukuar, i,e shpejtë etj.
Pjesë përbërëse e rasës gjinore: parku i qytetit, shkolla e fshatit, libri i shokut, fusha e sportit etj.
Pjesë përbërëse e disa përemrave: i,e tij, i,e saj, i,e tyre, shokët e mi, fletoret e mia, librat e tu, arat e tua; i,e tillë, të tillët, të tillat, i cili, e cila, të gjithë, të tërë etj.
Pjesë përbërëse e disa emrave asnjanës: të ecurit, të folurit, të menduarit etj.
Pjesë përbërëse e emrave të ditëve: e hënë, e martë, e mërkurë, e enjte etj.
Pjesë përbërëse e disa emrave që tregojnë lidhje gjinie e familjare: i ati, e ëma, i vëllai, e motra etj.
Para numërorëve me kuptim përmbledhës: Baltë e ujë nga të katër anët. U nisën të tre.
Para emrave: Drejtoreshës së kopshtit. I foli së bijës etj.