Fuqia e Erdoganit testohet nesër
23 qershor 2018
| 16:28
Nesër do të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Turqi. Presidenti Rexhep Taip Erdogan synon për një mandat tjetër dhe nëse fiton do të qëndrojë në këtë detyrë edhe për 5 vjet të tjera.
Në zgjedhjet presidenciale garojnë gjashtë kandidatë, ndërsa në ato parlamentare tetë parti politike.
Më shumë se tre milionë turq që jetojnë jashtë vendit kanë të drejtën e votës në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.
Erdogan që nga viti 2014 është president i Turqisë. Më parë ka ushtruar detyrën e kryeministrit nga viti 2003 deri në vitin 2014.
Nëse rizgjidhet të dielën do të bëhet presidenti i parë i Turqisë në sistemin e ri presidencial të qeverisjes, i cili u miratua nga votuesit në një referendum të mbajtur në prill të vitit 2017.