Fuqia e popullit të robëruar që ia theu kurrizin robërisë serbe në Kosovë në ballë me UÇK-në
Prof. dr. Hakif Bajrami
(Gani Sylaj, “Ilegal viteve shtatëdhjetë”, Prishtinë, 2018)
Mësuesi i muzikës që u bë dirigjent i politikës ilegale, por edhe mjeshtër i përdorimit të armës në radhët e para të UÇK-së së Adem Jasharit – legjendarit. Me këtë libër na shfaqet kryengritës i vërtetë në gjatësi, patriot në lartësi dhe veprimtar në gjerësi, që i thotë robërisë largohu ose do të vrasë, pa mëshirë sepse çlirimi i popullit tim është më i shtrenjtë se jeta ime, çlirimi i tokave të popullit tim ka çmim të cilin jam gati ta paguaj me jetë e gjak, me barot lirie.
Monografia e Gani Sylajt ka një kompozicion standard shkollor publicistiko-historik dhe argumentues për çdo hulumtues të rrugës së çlirimit Kosovës. Me një parathënie, hyrje dhe tekst themelor, autori rezulton se ka hyrë në rrugën e drejtë të kombit, si nxënës i denjë i shkollës emblematike të Adem Demaçit. Natyrshëm, argumentimin e vet e fillon nga organizimi ilegal politik me shokët e një ideali si: Mehmet Hajrizi, Kadri Osamni, Xhafer Shatri, Mustafë Ademi etj. Kështu duke e filluar luftën ilegale më 1971, Gani Sylaj nuk i numëron hapat, por i renditë vitet e robërisë për ta pasur gjithmonë familjen shtyllë dinamike në plagët e historisë, të cilat e vizatojnë me vrragët e tyre paralajmërimin e epokës së Adem Jasharit.
Jorastësisht këto vrragë historie nuk mund të hekuroseshin, t’u gjendet fytyra e tyre e vërtetë, pa arsimim shkollor dhe politik. Në librin e Gani Sylajt e kuptoi si hulumtues i vjetër një porosi faktografike se okupator del sheshazi se ishte Serbia e avancuar në Jugosllavi. Në të dhe për të, shqiptarët del se ishin më të interesuarit t’ia kthejnë kokën teposhtë, me mjete politike në fillim, e kur të sosen ato mjete, me ia kris edhe pushkën. Në këtë drejtim kur filloi përmbysja e Jugosllavisë (Serbisë) del se kroatët janë me shqiptarët, ndërsa bullgarët patën thënë na e dërgoni një “selam”. Ndërsa boshnjakët si gjithmonë do të na thonë, po mendojmë për juve, duke na vënë thikë pas shpinës.
Edhe në fëmijëri jeta e jetuar për Gani Sylën, gatitu ndaj porosive të nënës
Është kënaqësi dhe krenari për çdo lexues dhe studiues, kur e sheh të vizatuar dhe të përshkruar jetën e heronjve tanë të aksionit, të burgut dhe të luftës, se si e respektojnë nënën, babën, të afërmit, sidomos nxënësit patriotë. Është krenari kulmore kur nga kjo shkollë edukimi krijohen shoqëri kudo atdhetare në shkollë, studime, në aksione dhe në luftë, duke e peshuar gjithmonë modestinë dhe trimërinë e Ahmet Delisë me moton: “Unë luftoj me ato mjete që i kam, por do të luftoj t’i ndryshojë shekujt, mjetet e luftës dhe do të fitoj me siguri, sepse askund nuk e urrej, por e dua shqiptarinë, atdheun më shumë se jetën’.
Po, në këto rrethana ora e Gani Sylajt rrah sigurt, por ngadalë, madje më ngadalë se kudo në Evropë sepse hapërimi ynë është me peshë të madhe plagësh, që na i ka vënë në kurriz robëria e okupatorit. E për Gani Sylën dhe shoqërinë e tij nuk ka peshë robërie që i ndal rrezet e lirisë, nuk ka barrikadë që e shkëputë rrugën e vështirë por të pathyer, para grushtit të këtij revolucionari dhe patrioti. Prandaj Gani Sylaj do ta këndojë në çdo kohë prejse u bë, për të menduar logjikshëm, për të folur si burrë i pjekur, për të vepruar si i burrëruar para kohe:
O Kosovë e tokë bekue,
Ku gjallnue kanë dymbdhjet fise,
E Shqipnisë ma e bukur hise,
Gjithë për ty zemra më gufon,
S’është shqiptar ai që ty të harron!
Duke lexuar librin e Gani Syajt në shikim të parë del se jeta e jetuar është fare e thjeshtë, por duke u thelluar në kuptimin e asaj jete, të atij aktiviteti politik revolucionar, me premise të pamposhtura kombëtare me shokë shumë, që e krijojnë historinë, historia e krijuar nga Gani Sylaj dhe shokët e tij, historia vizatohet se është shumë e komplikuar, shumë e vuajtur, e historia e vuajtur dihet se nuk ka “dhimbje”, por ka plagë që ia rëndojnë kurrizin, sepse dhimbja që nuk dhemb nuk është me aromë kombëtare njerëzore për Gani Sylën e ilegales.
Gati në tërësi personazhet e Gani Sylës sot janë heronj të gjallë me të cilët ka krijuar jetë begatie familjare dhe kombëtare dhe ky heroizëm permanent në luftë të pandërprerë, do të mbetej në gjysmë të rrugës po mos të shkrepej pushka e lirisë dhe çlirimit në Drenicën e tij, në Kosovën e tyre. Kështu të kuptuar personazhet e Gani Sylës sot janë edhe ndër komandantët drejtues të UÇK-së, janë edukatorë, arsimtarë, shkencëtarë, politikanë që drejtojnë shtetin më të ri në Evropë e që ka historinë më të vjetër në kontinent. Dhe shtrohet pyetja helmetiane, kush u ka besuar atëherë kur i filluan hapat e parë personazheve të Gani Sylës, se këta të ilegales do të përmbysin atë shtet dhe do të ndërtojnë shtet që i ka rrënjët në trakte, gazeta ilegale të kazmës dhe çekanit, burgut dhe shërbimit ushtarak, sa për ta la një obligim që nuk konsiderohej obligim, por dënim, se bëhej për përdorim të skaduar, të imponuar.
Burgosjet e vitit 1974 janë një paralajmërim se pushteti “do të shkojë deri në fund”, kundër patriotëve që nuk flenë. Dhe kur e analizojmë këtë fenomen, kur ia vejmë në kurriz shembjen e shtetit katrahurë (Jugosllavi), kur i grumbullojmë mjetet me çka synohej shembja, kur e dimë se gati të gjithë mendonin “kuq e zi”, por që yllin e kishin kapak, atëherë tregimi i Gani Sylës del se është një filozofi jetësore e Johan Keplerit: “Çdo gjë sillet në rrugë ekliptike dhe në qendër të sjelljes është ndryshimi”, është përshtatja ngadalë, por sigurt nga hedhja e trakteve, nga shpërthimi në demonstrata në zakone të luftës armatosur, sepse heronjtë e trakteve, kreatorë të demonstratave (1968-1981…), edhe atëherë i ke arsimtarë e gazetarë, informatorë e veprimtarë, që më shumë kah vitet ’90-ta të shekullit XX i afrohen pushkës, duke u larguar ngadalë jorealitetit që e kishin mësuar, por donin realitetin ta transformojnë në gjakun e njomë të heronjve të ardhmërisë, pra jo të ditës, jo të grupit, por të armës dhe istikamit, prej të cilave okupatori nxiton të përfitojë sa më shumë se po e mbron shtetin dhe me këtë filozofi do ta ketë të drejtën bllanko nga ndërkombëtarët, sikurse në kohën e ilegales, në kohën e flamujve dhe trakteve, të cilët në pranverën e tyre e kishin të njëjtin efekt, të njëjtën energji, sepse edhe me ato mjete modeste synohej transformimi rrënjësor i tërë godinës politike dhe shtetërore të shoqërisë. Por transformimi nga lufta qytetare paqësore në luftë me armë ishte një rrugë serioze dhe me shumë përgjegjësi, por as ajo e para (rrugë) as kjo e dyta (luftë) nuk do të kryenin punë me sukses po mos t’i kishte personazhet e pashkëputur nga puna, simbolikisht me Gani Sylajn si akter aktiv dhe i pathyeshëm, sepse vepron me besën e nënës, sepse vepron me shkollën e Adem Demaçit, sepse simbolizon tërë punën dhe luftën me shokët e idealit, prej të cilëve nuk ndahet me asnjë çmim.
Libri i Gani Sylës nuk është monografi e brengës së individit, por është shkollë e luftës, e vetëflijimit. Kështu për ta fituar informatën si fuqi prodhuese historike, Gani Syla dhe “Komiteti” i tij nuk zgjedhin mjete, madje shokun më të ngushtë e dërgojnë të punojë aty (në SPB), ku këtyre u përgatitet vdekja, për ta kuptuar se duhet të vdesin shumë më pak kur i kanë informatat e armikut, përmes shokut tyre.
Gani Sylaj e dinte si personalitet i pjekur se lufta çlirimtare nuk është paradë. Kjo luftë është bërë gjithmonë herë me dinakëri, mençuri dhe trimëri, edhe me frikë edhe me fytyrë besa në raste të rralla edhe pa të, por një aksiomë Gani Syla dhe shokët e tij e dinin se shkolla kombëtare e Adem Demaçit nuk ka mbarim deri në fitore të sigurt, sepse bazohej në të kaluarën e ndritur të luftërave, të cilat për kohën dhe rrethanat e veta ishin po aq të ndritshme ashtu si ato të fundit të shekullit XX, sepse synimi ishte i njëjtë. Dhe kur të krahasohen këto gjenerata, lavdi tërë historisë patriotike para tyre, por duhet thënë se nuk na është sjell liria. E gjenerata e Gani Sylajt e ka një përparësi krahasimisht ma famëlartë se për herë të parë lufta dhe çlirimi e kanë një vlerë, e kanë pavarësinë e Kosovës. E kur e themi këtë e shtrojmë pyetjen se gjenerata e mëparshme a i kishte luftëtarët e denjë dhe drejtuesit e dinjitetshëm, përgjigja është se po. Po, larinë nuk na e sollën. E gjenerata e 1968-1981-1999 me që e kishte drejtuesin legjendar Adem Demaçin, plus ‘ushtarët’ shumëfish ma të shkolluar, e këtu diku duhet gjetur çelësin e fitores, sepse u rreshtuam kah duhet, kah ShBA dhe NATO, me përkushtim.
Modestia e Gani Sylës mendon dhe flet se kjo shkollë i ka rrënjët e shëndosha ku të këshillon nëna, me shokë, me mësues me rini të dy gjinive, sepse Ganiu i do të dy duart, në luftën e shpallur politika e cila e përgatiti dhe e ktheu në kala luftën ushtarake krismën e pushkës, së cilës Gani Sylaj i takoi nga ditët e para.
Gani Sylaj i burgut, i vizatimit dhe i mësuesit të historisë, i mendimit kolektiv si Rexhep Mala, si Azem Syla e Jakup Krasniqi, Hydajet Hyseni me shokë shumë që janë ajka e një gjenerate që për herë të pare në histori e krijojnë një shtet me fuqinë e pushkës, të diplomacie dhe pastërtisë në aksione politike në proces. Kështu, si e kanë projektuar dhe realizuar Epokën e Adem Demaçit, kjo shkollë nuk ndryshon nga të tjerat, por me efektivitetin e saj, na del me argumente se as nuk e kemi konsumuar njësoj, as nuk i kemi rezervuar kohë dhe përpjekje si komb i tërë që ta kultivojmë ngjashëm, sepse kemi pasur sabotues e mercenarë të mesit tonë, të gjakut tonë, të cilët gati janë njësoj si okupatori, sepse i kemi pasur pranë dhe na kanë penguar, për të mos thënë luftuar, deri edhe me fuqinë e armës politike dhe ushtarake. Kështu, lidhur me potencialin mobilizues, mu pse nuk ishin të gjithë të një rreshtimi për luftë del se nuk kemi ndërtuar themel aq të forte të shtetit të sotëm, mu nga shkaku se globalisht nuk kemi qëndruar të gjithë vertikalisht ashtu si e kërkonte koha dhe nevoja kombëtare, si na ftonte zëri e atdheut, si na ftonte pushka e Adem Shaban Jasharit.
Përvoja që mbjell në zgjimin kombëtar, shkolla e Gani Sylës, të rreshton ngadalë por sigurt kah altari prej të cilit ma nuk mund të ndahesh deri sa të gjen fitorja ose vdekja gatitu pranë Flamurit të luftës. Po kjo shkollë e Gani Sylës është skalitë në libër si një kala me dy porta: ose e ke fitoren ose e ke vdekjen përpara. Por në luftën e Gani Sylës, prapë të tjerët pas teje fitojnë sepse lufta është e drejtë, është politike, por edhe i hap rrugë Epokës së pushkës. Lidhur me këtë filozofi shumë e thjeshtuar, por më shumë e komplikuar, sepse nuk jemi të gjithë të një bese, sepse dikush ende ma tepër I beson fjalës boshe por premtuese, se sa vargonjve të gjakut që janë garanci e çlirimit, janë shkollë e re që quhet neoluftë, që nuk vret civilë të shtetit robërues. Pra gjenerata e Gani Sylës është fituese e dyfishtë, fituese e lirisë, fituese e luftës që për here të pare në histori mbaron me faktin se i “forti” humb.
Në librin e Gani Sylës fol oda, nëna dhe rrudhat në fytyrë të babait dhe atyre që e kishin mbi supe peshën e shumë vuajtjeve, që jo me fajin e tyre por me forcën e fuçive ua kishin plasuar robërinë në votër dhe tash për të satën herë jo që provonin por alarmonin opinionin botëror se ja ku jemi, nuk kemi ku të shkojmë përpos që të mbrohemi për të jetuar në vatrat tona den baba den. Dhe lufta jonë është e një shkolle të paparë në histori, sepse nuk vret fëmijë, gra, pleq, plaka dhe civilë pa armë në dorë nga radhët e armikut. E Kjo është neolufta që e mposhtë paleoluftën që vret e pret çdo gjë që gjen përpara.
Vizioni i Gani Sylës nuk është stacionimi në grupe të ngushta veprimi politik, edhe pse shumë kohë vepron si ilegal por më shumë kohë dhe veprim ilegalen e plason në lëvizje të logjikës politike për ta ndryshuar realitetin tragjik. E pra Gani Syla i trakteve, i komiteteve politike ilegale, i demonstratave dhe i agimit të luftës së nevojshme, domosdoshme dhe të pashmangshme, gjithmonë do ta ketë në mendjen e tij një temperaturë konstante, të pathyeshme dhe shpresëdhënëse për kombin. Mu për këtë jo vetëm Nëna, prindërit, vëllezërit e idealit dhe motrat e shërimit të plagëve, gjithmonë i qëndrojnë pranë, për t’i ndihmuar dhe për t’u pjekur në aksione, për t’i gjetur një ditë krah e forcë vigane e Adem Jasharit – legjendarit. Pra, gjeneratës së Adem Demaçit i ka pre sharra në një vend dhe mu për këtë ka siguruar liri dhe shtet, aq sa kemi investuar në artin e lirisë, që është liria vetë.
Libri i Gani Sylës deduktivisht është studim i brengës së individit në rasën kallëzore, por kur gjërat rrjedhin efektshëm kah e mbara ky libër prapë i kthehet trurit, dhe prej tij del një porosi se nuk ka liri dhe shtet pa iu përkushtuar me tërë qenien shpirtërore dhe fizike, aty ku ka jetë, ka shpresë për ta gëzuar. Kështu duke e lexuar me kujdes librin e Gani Sylës, rezulton shumë thjeshtë dhe shumë guximshëm se liria nuk është aq e komplikuar kur i përkushtohesh, kur ia siguron asaj frymëmarrje njerëzore-popullore kombëtare, sepse çdo gjë që është popullore dhe kombëtare as nuk mund të gjykohet e as nuk mund të dënohet, sepse e ka për qëllim çlirimin energjisë që është në shërbim të civilizimit dhe njeriut, për njeriun e vërtetë aktiv dhe sovran siç duhet të jetë kombi.
Do të thosha kur revolucionari avancohet dhe shndërrohet në patriot, atëherë nderi i kombit dhe familjes ngritët në aksiomë shkollore të Epokës së Adem Demaçit. Dhe përtej kësaj Epoke Gani Syla nuk kërkon asgjë më tepër sepse personaliteti i tij me shokë shumë, nuk është kurrë që të ketë liri më tepër për te dhe popullin e tij, se sa që i duhet. Ajo liri nuk është për asnjë grime që të i grabitë dikujt liri dhe të krijojë për veti më tepër dobi përvetësuese. Mu për këtë arsye Gani Sylaj është larg, shumë larg lagjes së shovinistëve te të gjitha ngjyrave. Është kështu sepse të huejn nuk e do, por të vetën nuk e dorëzon për asnjë interes personal, sepse ushtari i UÇK-së Gani Sylaj lirinë as nuk e shet, e as nuk e blen, atë e do të pastër si diellin që rrezaton për çdo njeri liridashës njësoj.
Çdo gjë pra në filozofinë jetësore të Gani Sylës i nënshtrohet interesit civilizues dhe kolektiv, sepse liria që e projekton Gani Sylaj duhet të mbetet pronë aktive e çdo njeriu liridashës pa dallim kombi, race, gjinie dhe kulture e religjioni. Mu nga ky parim shkolla e Adem Demaçit, së cilës i takon Gani Sylaj me shokë shumë, e ka dritën dhe besën e të gjithë atyre që lirinë, paqen dhe sovranitetin e kanë kulturë të filozofisë së historisë.
Në librin e Gani Sylajt gjatë tërë leximit vërehet një përkujdesje e pashkëputur për njeriun e rëndomtë. Është fjala se çfarë energjie intelektuale dhe fizike duhet t’i kushtohet të kaluarës,me çfarë logjike dhe energjie intelektuale duhet për t’iu përkushtuar ardhmërisë. Në mes këtyre dy poleve që duhet të bashkohen se çka duhet të fitojë kombi nesër, pra jo vet individi, te Gani Sylaj pa dilemë fiton ardhmëria edhe pse për të kaluarën ka qëndrim kritik respektiv, jo vetëm intelektual, por edhe burrëror, etik dhe pedagogjik që shqiptarizmit t’i shtojë famë prindërore dhe dituri të respektuar mësuesie të pavdekshme. E për këtë dituri flet qëndrimi i Tij në rrugën arsimore, flet qëndrimi për prindër, motrat e vëllezërit, familjen e ngushtë, njerëzit e idealit rreth tij,por kurrë nuk ndahet nga vizioni i Adem Demës.
Respekt dhe admirim shkencor për një jetë të jetuar të tillë që e ka ndërtuar kalanë ashtu si e mësuan Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ashtu si e avancuan Kryengritjet e gjeneratës Hasan Prishtinës, Azem Galicës, Bajram Currrit, Shaban Polluzhës, shkollës arsimore të Petro Nini Luarasit, urtia e Shjefen Gjeçovit dhe pse jo atavizmi filozofik popullor i Naim e Sami Frashërit, Gjergj Fishtës, për t’u ngjizur me shkollën Kombëtare të Adem Demaçit, e për të shtrënguar fortë e me nderë pushkën e Lirisë së Adem Shaban Jasharit – legjendarit.
Me respekt vëllazëror për një revolucionar dhe patriot!