
Fury: Ata s’e deshën këtë sfidë, ëndrra e britanikëve mbeti peng i Hearnit
Bob Arum, promotori legjendar i boksit dhe menaxher i boksierit britanik Tyson Fury, u shpreh se dueli ndaj Anthony Joshuas u sabotua nga Eddie Hearn. Ky i fundit është menaxheri i Joshuas. Sipas Arum, Hearn nuk donte që kjo përballje të zhvillohej dhe përdori çdo mënyrë për ta shtyrë e anuluar atë.
“Hearn do të jetë mallkimi i të gjithë britanikëve dhe dashamirësve të këtij sporti, që i vuri shkopinj nën rrota kësaj sfide. Fury dhe Joshua u shprehën gati të duelojnë më 3 dhjetor, por Hearn doli kundër. Hearn e shkatërroi këtë sfidë edhe kur ne u shprehëm të gatshëm t’i vijojmë negociatat”, ka thënë Arum.
“Kjo ishte një sfidë ku marrëveshja mund të ishte mbyllur brenda disa orësh dhe ne e pritëm gjithë ditën. E trishtë ajo që ndodhi. Edhe problemi i rrjeteve televizive të ndryshme të përfshira u zgjidh, por ai gjeti pengesa të tjera. Kam 60 vjet që organizoj duele dhe e di shumë mirë kur dikush nuk e dëshiron një sfidë”, ka shtuar Arum.
“Hearn e sabotoi këtë sfidë. Ai nuk ka më asnjë boksier të madh në kompaninë e tij përveç Joshuas dhe po e mban fort. Po e mban peng, pasi ka dy humbje dhe rrezikon të humbasë çdo fitim. Ju e njihni Tyson Fury. Ai nuk ka studiuar drejtësi. Ai dëshiron të duelojë dhe ishte gati për sfidën me Joshuan”, ka deklaruar Bob Arum.