Fury: Këta janë dy rivalët e këtij viti, Joshuan s’dua ta shoh me sy
Boksieri britanik Tyson Fury, kampion bote në peshën e rëndë (kategoria WBC) ka hedhur poshtë idenë e një përballje me patriotin e tij Anthony Joshua.
Ai konfirmoi se në planet e tij për këtë vit janë dy duele: Ai i unifikimit të titujve kampionë ndaj ukrainasit Oleksandr Usyk dhe sfida ndaj Francis Ngannou (ish-kampion bote në peshën e rëndë në artet marciale mikse).
Në lidhje me bisedimet që palët po bëjnë për duelin ndaj Usyk, Fury ka deklaruar: “Nuk e di se në çfarë pikë janë bisedimet, por po bëj maksimumin që kjo sfidë të zhvillohet sa më shpejt. Unë dua të dueloj ndaj Usyk dhe për momentin nuk jam i interesuar të zhvilloj ndonjë sfidë tjetër. Kjo është sfida e shekullit dhe dua të jem pjesë e saj”.
“Nëse kjo përballje ndaj Usyk nuk zhvillohet tani, atëherë do të shoh mundësinë që të përballem me Francis Ngannou. Këto janë planet e mia, për të zhvilluar këto dy sfida gjatë vitit 2023. Anthony Joshua nuk hyn në planet e mia për këtë vit, madje as që dua ta dëgjoj atë emër”, u shpreh Tyson Fury, i pamposhtur në karrierën e tij.