Fury: Më në fund po realizoj ëndrrën time
Britaniku Tyson Fury më në fund do të zbarkojë në Las Vegas. Më 15 qershor ish-kampioni i botës në peshën e rëndë do të duelojë ndaj gjermanit Tom Schwarz, duel që do të zhvillohet në “MGM Grand” të Las Vegasit (priten 17 000 shikues).
“Jam shumë i lumtur që do ta realizoj ëndrrën time, të boksoj në Las Vegas. Gjithnjë kam thënë se për herë të parë do të shkel në Las Vegas për të boksuar dhe jo për të luajtur bixhoz. Më në fund arrita ta realizoj qëllimin tim”, ka thënë Fury.
“Mezi po pres të ngjitem sërish në ring. Jam i sigurt se fansat britanikë e irlandezë do të vijnë të shumtë për të më mbështetur në Las Vegas”, u shpreh Fury, 27 fitore e 1 barazim në karrierën e tij. Kjo është sfida e tij e dytë në Amerikë, pas barazimit me Deontay Wilder më 2 dhjetor të vitit të kaluar. Gjithsesi, ajo sfidë u zhvillua në Los Anxhelos.