Fury: Nëse mendoj për duelin ndaj Joshuas, e humbas më herët titullin
Boksieri britanik Tyson Fury, kampion bote në peshën e rëndë, u shpreh se në mendjen e tij për momentin është vetëm sfida e tretë me Deontay Wilder.
Ai nuk dëshiron të ndryshojë fokus dhe të mendojë për një përballje të madhe me Anthony Joshuan pasi, sipas tij, kjo do ta penalizonte dhe shpërqendronte. “Unë e kam bërë publik planin tim kohë më parë. Fillimisht kam një përballje të tretë me Wilderin përpara dhe më pas do të zhvilloj dy duele me Joshuan për të unifikuar titujt”, ka deklaruar Fury.
“Nëse do të mendoj që tani për duelin me Joshuan, atëherë do ta humbas titullin kampion në përballjen e tretë me Wilderin dhe nuk do të ketë asnjë sfidë me Joshuan. Nuk dua të shpërqendrohem nga objektivat e mi, pavarësisht se çfarë thonë të tjerët”, ka shtuar Fury. Kjo përballje e tretë me Furyn dhe Wilderin pritet të zhvillohet më 19 dhjetor, me britanikun që do ta mbrojë titullin kampion bote në kategorinë WBC.