Fury: Pas humbjes kam shijuar jetën, pres që titujt kampionë të rikthehen tek unë

17 dhjetor 2024 | 15:09

Më 21 dhjetor, në Riad të Arabisë Saudite, do të zhvillohet revanshi i peshave të rënda në boks mes britanikut Tyson Fury dhe ukrainasit Oleksandr Usyk. Dy boksierët kanë mbërritur në Arabi ditën e hënë, ku do të kryejnë përgatitjet e fundit.

“Këtë herë ka qenë shumë më e lehtë të përgatitesha”, tha Fury për “Sky Sports” pasi mbërriti në Riad. “Kam bërë shumë sparring dhe kam mundur të stërvitem siç duhet, ndërsa më parë nuk është sekret që nuk kam bërë shumë sparring”, shtoi britaniku.

Fury këmbëngul se ai nuk është ndalur në humbjen e tij të parë profesionale, kur u mund nga Usyk në maj të këtij viti dhe dorëzoi titujt kampionë bote. “Gjithçka që kam bërë është të shijova jetën time dhe të jetoja”, tha Fury.

“Më pas shkova në një kamp tjetër stërvitor. Dhe do të vazhdoj të bëj të njëjtën gjë edhe pas kësaj sfide. Kjo është jeta e një boksieri”, tha Fury, që beson se do të bëjë një paraqitje më të mirë në përballjen e së shtunës.

“Unë nuk e di se çfarë do të bëjë rivali im, do ta shohim të shtunën në mbrëmje. Do të jetë një sfidë e madhe me atë djalë, por kam shumë besim te vetja. Titujt do të vijnë sërish tek unë, kam shumë besim tek aftësitë e mia”, u shpreh Fury.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qazim Laçi ka vazhduar të tregojë formën e tij të…