Fury: Usyk do të ndiejë gjithë zemërimin dhe kërcënimin tim
Boksieri britanik Tyson Fury duroi një nga raundet më të vështira të karrierës së tij kur Oleksandr Usyk e tronditi atë në sfidën e parë në maj, në duelin që unifikoi titujt kampionë bote në peshën e rëndë. Në atë raund të nëntë, arbitri mendoi se Fury ishte mbajtur vetëm nga litarët dhe i dha atij një numërim.
“Usyk i lëshoi gjuajtjet e tij më të mira. Ai kishte 10 goditje tek unë, por nuk më hodhi kurrë. Pra, nëse ai nuk mund të më hidhte në tapet, Zoti qoftë me të këtë herë. Mendoj se ai bëri goditjet e tij më të mira për të më hedhur KO dhe nuk e realizoi dot atë”, tha Tyson Fury për “Sky Sports”.
Fury është i bindur se kur të duelojnë këtë fundjavë do të hakmerret për humbjen në duelin e parë. “Kur ai më goditi unë i buzëqesha. Këtë herë ai do të ndiejë zemërimin dhe kërcënimin tim. Kam një gjë të madhe për të provuar“, paralajmëroi Fury rivalin e tij ukrainas, i pamposhtur në karrierën e tij.
Britaniku është i bindur se në përgjithësi sfida e parë ishte më ndëshkuese për ukrainasin se sa për të. “Pas përballjes ata thanë se Usyk kishte një kockë të thyer në fytyrë ose një nofull të thyer. Nuk u ndjeva sikur e humba duelin atëherë, ishte një sfidë e ekuilibruar”, u shpreh më tej Fury.