Fusha ‘Biznes, administratë dhe ligj’ vazhdon të jetë më e preferuara për studentët e rinj

18 tetor 2024 | 11:37

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e arsimit të lartë sipas fushave të studimit për vitin akademik 2023/2024.

Fusha e studimit “Biznes, administratë dhe ligj” vazhdon të mbetet si fusha më e preferuar e studentëve në nivelin bachelor me gjithsej 4 380 studentë, ose 26,4% e numrit të përgjithshëm të studentëve të regjistruar.

Ndërsa, numër më i vogël i studentëve kanë zgjedhur të studiojnë në fushën “Bujqësi, pylltari, peshkim dhe veterinari” me gjithsej 381 të regjistruar, ose 2,3%.

Në fushën “Teknologjia Informative dhe Komunikimi (TIK)” për vitin akademik 2023/2024 në nivelin bachelor, meshkujt përbëjnë 62,2% të numrit të përgjithshëm të studentëve, ndërsa femrat janë me 37,8% të numrit të përgjithshëm. Krahasuar me vitin paraprak 2022/2023, ka një rritje të numrit të femrave në këtë fushë.

Interesim më i madh i studentëve në nivelin master në fushën “Biznes, administratë dhe ligj” në universitete publike dhe kolegje private

Edhe tek niveli master, fusha “Biznes, administratë dhe ligj” vazhdon të mbetet fusha më e preferuar e regjistrimeve të studentëve, ku janë regjistruar 1 314 studentë ose 34,0% e numrit të përgjithshëm.

Ndërsa, numër më i vogël i studentëve të regjistruar kanë zgjedhur të studiojnë në fushën “Bujqësi, pylltari, peshkim dhe veterinari”, me gjithsej 81 studentë, ose 2,1% e numrit të përgjithshëm.

Krahasuar me numrin e përgjithshëm të studentëve, të cilët ndjekin arsimin e lartë në nivelin master, dominon numri i studentëve të cilët ndjekin studimet në fushat “Biznes, administratë dhe ligj” me gjithsej 3 208 studentë të regjistruar ose 32,5% e numrit të përgjithshëm.

Diferencë më e madhe gjinore vërehet edhe te niveli master në fushën e “Arsimit” ku nga 425 student, 92,0% janë femra dhe 8,0% janë meshkuj (vetëm 34 studentë meshkuj).

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të enjten e 24 tetorit, në Bruksel pritet të zhvillohet…