
Fusha e Departamentit të Operimeve, një hap më afër aftësimit të plotë për nxënësit në KEDS Academy
Aftësimi profesional i nxënësve të KEDS Academy 12 tashmë ka kaluar në një tjetër dimension.
Në kuadër të programit tonë edukativ, KEDS Academy, nxënësit e shkollave profesionale mësuan mbi operimet e KEDS-it nga vetë ekspertët e Departamentit të Operimeve. Kjo ligjëratë, përveçse një leksion teorik e praktik, do t’u shërbejë në përvojat e tyre përgjatë rrugëtimit profesional.
Nxënësit, ndër të tjera, mësuan edhe për njehsorët dhe matjet e energjisë-llojet e njehsorëve, matjen e saktë të konsumit dhe rolin e tyre në menaxhimin e energjisë; Leximin dhe faturimin-procedurat e leximit të njehsorëve, faturimin korrekt dhe adresimin e ankesave të konsumatorëve; Shkyçjen dhe rikyçjen e konsumatorëve-arsyet e shkyçjes, mënyrat e realizimit të procesit dhe hapat e sigurisë që duhen ndjekur; Ndërrimin dhe zhvendosjen e njehsorëve-përdorimin e pajisjeve më të avancuara e të sigurta për menaxhimin efikas të ndërrimit të njehsorëve; Pajisjet dhe teknologjinë-njohjen me pajisjet moderne, si Hand Held Unit dhe M3, për lexim të saktë të konsumit.
Sipas KEDS-it, kjo qasje proaktive dhe praktike i pajisë nxënësit jo vetëm me njohuri reale mbi fushën e energjetikës, por edhe i bën të gatshëm për tregun e punës.
Përmes investimit në KEDS Academy, KEDS po investon në edukimin e nxënësve e studentëve, duke ndihmuar në krijimin e brezave të rinj profesionistësh-të gatshëm të kontribuojnë në sektorin e energjisë.