Fushata ime diplomatike dhe garancia gjermane se ‘normalizimi’ është njohja e Kosovës nga Serbia
Shkruan: Edita Tahiri
Pas arritjes së Marrëveshjes së parë të Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë me 19 prill 2013, në cilësinë time si zëvendëskryeministre dhe kryenegociatore e dialogut të Brukselit ndërmora një fushatë diplomatike në disa vende kryesore të Bashkimit Evropian. Qëllimi im ishte që të kuptoj qëndrimin e tyre “se çfarë nënkuptojnë ata me konceptin “normalizim” të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nga marrëveshja e arritur, duke qenë ky koncept për herë të parë u përdorë në një marrëveshje të arritur në dialogun e Brukselit që kishte filluar në vitin 2011. Marrëveshja e 2013 kishte për titull “ Marrëveshja e Parë mbi Parimet që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve”
Siç është praktikë në diplomaci dhe sidomos kur procesi i negociatave mes shteteve është në rrjedhë, diplomacia përmbahet e të qenit e qartë në kuptimet rreth çështjeve kyçe. Kështu ishte rasti edhe me konceptin “normalizim” i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, për te cilin asnjë shtet nuk doli me qëndrim të qartë se çfarë nënkuptonte për shtetin e tyre termi normalizim, ndërsa BE-ja aq më pak.
Meqenëse diplomacia evropiane dhe amerikane na bënë shumë presione për asociacion në emër të integrimit të plotë të pjesës veriore nën sovranitetin shtetëror të Kosovës të sfiduar nga paslufta dhe njohjes se Kosovës nga Serbia, kishte ardhur koha që diplomacia të fliste me terma të hapura dhe të qarta.
Përpjekjet e mia diplomatike sollën rezultat vetëm në Gjermani. Nga shtet tjera qe kisha vizituar në atë kohë, kisha marrë përgjigje dykuptimshme (ambivalente); por jo të qartë, për të cilën insistoja unë.
Gjatë vizitës sime zyrtare në Berlin, Gjermani, më 19 tetor 2013 zhvillova një varg takimesh në Ministrinë e Jashtme te Gjermanisë dhe në Parlament. Por takimi më i rëndësishëm ishte takimi me Emily Haber, njeriun me të rëndësishëm të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, e cila ndonëse ishte sekretare e kësaj ministrie për shumë vite, në fakt ishte figura më e fuqishme e diplomacisë gjermane. Ajo më vonë do të bëhej Ambasadorja e Gjermanisë në ShBA (deri sivjet).
Në takimin me Emily Haber isha e shoqëruar nga Skender Xhakaliu, ambasador i atëhershëm i Kosovës në Gjermani.
Pasi e falënderova zonjën Haber për përkrahjen e madhe te Gjermanisë për Kosovën në të gjitha proceset e rëndësishme, të lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës, e njoftova për rrjedhat ne dialogun e Brukselit. Menjëherë kalova në çështjen për të cilën kisha shkuar në takim, pa diplomaci dhe drejtpërdrejtë e pyeta z. HaberL “Çfarë nënkupton ‘normalizimi’ i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë’ për ju dhe Gjermaninë? A është njohja e Kosovës nga Serbia? apo diçka tjetër?. Nëse nuk është njohja mos prisni që kjo marrëveshje e 2013 do të sjellë paqe në Ballkan dhe as nuk është historike, pavarësisht se u trumbetua nga Ashton dhe të tjerët si një marrëveshje historike, i thashë.
Ashtu siç isha unë e drejtpërdrejtë edhe Emily Haber ma dha përgjigjen drejtpërdrejt. Ajo më tha qartë se “Qeveria gjermane e kupton ‘normalizimin’ si njohje e Kosovës nga Serbia dhe se nuk do të ketë pranim të Serbisë në BE pa njohjen e Kosovës, dhe se për këtë jemi të prerë dhe ia kemi thënë qartë Serbisë”.
Duke ma parë reagimin tim, më pyeti a nuk mjafton kjo meqenëse nuk po shohë shenja gëzimi të mjaftueshëm tek ti. I thashë po jam e kënaqur dhe e gëzuar, por ka edhe diçka tjetër të rëndësishme që duhet të merret parasysh. Atëherë zonja Haber kërkoi që ambasadori të mos jetë prezent në këtë pjesë të bisedës. Skenderi doli nga takimi. Ne vazhduam të dyja bisedën, i shpreha vlerësimin e lartë për qëndrimin e qartë të Gjermanisë në favor të njohjes së Kosovës nga Serbia dhe për kushtëzimin e pranimit të Serbisë në BE me njohjen e Kosovës. Vazhdova bisedën duke ia bërë qartë se shqetësimin tim se nëse Serbia pranohet në BE para Kosovës, atëherë Serbia do ta bllokoj pranimin e Kosovës në BE (duke marrë parasysh vendimmarrjen konsensuale në BE), prandaj theksova se duhet patjetër ti pamundësohet Serbisë që mos ta bllokoj Kosovën për pranim në BE.
Menjëherë ma ktheu përgjigjen. Zonja Haber, më tha “po kemi menduar për këtë çështje, prandaj Serbisë do t’i pamundësohet bllokimi i Kosovës”. Do të ketë një mekanizëm që bllokon Serbinë që ta bllokoj Kosovën. Isha shumë e kënaqur, më në fund buzëqesha me gëzim. Në fund të takimit zonja Haber më tha të lutem mos e bëj publike menjëherë bisedën tonë, por në një kohë të mëvonshme. I premtova se do të veproj sipas kërkesës së saj. Ashtu dhe veprova andaj një kohë të caktuar nuk fola në media për qëndrimin e qartë Gjermanisë dhe garancën që mora, pastaj më vone kam deklaruar se ‘ka shtete të fuqishme evropiane që na kanë garantuar se do të ketë njohje e Kosovës nga Serbia si kushtëzim për pranimin e Serbisë në BE, pra Serbia nuk do te pranohet në BE pa e njohur shtetin e Kosovës, dhe këtë e dinë mire Serbia.’
Para disa dite në një intervistë timen për “Debat Plus” tregova hapur se ishte Gjermania ajo që na garantoi se njohja e Kosovës nga Serbia do të ndodh para pranimit të saj në BE, qe nga viti 2013 gjatë vizitës time zyrtare në Gjermani.
Tash vendosa ta publikojë këtë shkrim për t’i treguar qeverisë aktuale se diplomacia duhet të përdoret me mençuri dhe strategji në interes të Kosovës dhe suksesit të Kosovës në dialogun e Brukselit.
Në këtë periudhë kur po flitet se Asociacioni do të sjellë njohje Kosovës nga Serbia, nuk mjaftojnë fjalët apo ndonjë deklaratë e ndonjë diplomati, duhet qe diplomacia e Kosovës të bëjë fushatë strategjike diplomatike në të gjitha qendrat vendimmarrëse euro-amerikane për të siguruar garanci zyrtare për këtë çështje.
* Edita Tahiri ka qenë ish-zëvendëskryeministre dhe kryenegociatore e Kosovës për bisedime me Serbinë. Shkrimi është pjesë e librit të Tahirit për dialogun e Brukselit që do të botohet se shpejti.