Fushata zgjedhore fillon më 11 janar 2025
Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), kanë miratuar të mërkurën rregulloren për zgjedhje të parakohshme dhe të jashtëzakonshme.
Arianit Elshani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka lexuar afatet kryesore ku ka thënë se fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit do të fillojë më 11 janar të vitit 2025. “Deklarimi i partive politike për formimin e koalicioneve zgjedhore ka një afat prej 16 gushtit deri më 30 gusht. Aplikimi për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve fillon më 1 shtator dhe përfundon më 11 dhjetor 2024. Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim do të bëhet më 7 janar. Periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje fillon më 11 janar dhe përfundon në ditën e zgjedhjeve, para hapjes së vendvotimeve. Zbatimi i periudhës së shërbimit të votuesve për ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës për qytetarët fillon nga 29 gushti dhe përfundon më 26 dhjetor. Periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës fillon nga 29 gushti dhe përfundon më 26 dhjetor. Afati për dërgimin e fletëvotimeve përmes postës dhe në kutinë postare të shtetit ku është regjistruar votuesi apo në shtetin më të afërt ku është hapur kutia postare fillon më 9 janar dhe përfundon më 8 shkurt”, ka thënë Elshani.