Fushë Kosova së shpejti me furnizim 24 orë me ujë
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar konsumatorët e qytetit të Fushë Kosovës se ka filluar ekzekutimi i punimeve në vendosjen e tubit i cili shumë shpejtë do t’i furnizojë me ujë të pijshëm 24 orë pa ndërprerë.
Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Ilir Abdullahu, zëvendëskryeshefi Kujtim Xhelili dhe shefi i njësisë operative të Fushë Kosovës, Remzi Llumnica, kanë vizituar për së afërmi punimet që po zhvillohen atje. Abdullahu ka thënë se ndjehet i gëzuar që më në fund edhe konsumatorët e Fushë Kosovës do të kenë ujë të pijshëm pa ndërprerë. Ai pret nga konsumatorët që në të ardhmen të bëjnë pagesa të rregullta për shërbimet e ofruara dhe shpenzim racional të ujit të pijshëm.
“Tubi është me diametër fi 630 mm dhe me një gjatësi prej 2.2. km, ku uji fillestar do të merret nga fabrika e trajtimit të ujit në ‘Shkabaj’. Punëkryesi i këtij projekti është kompania ‘Alfa i’ të cilët përgjatë një muaji kanë bërë të gjitha ndërhyrjet e nevojshme teknike në rezervuarin e Shkabajve, ndërsa sot ka filluar me vendosjen e tubave”, ka thënë Abdullahu.
Kostoja financiare e këtij projekti ka vlerën 378 mijë euro. Projekti pritet të përfundojë në fund të muajit prill të këtij viti.