Fushë-Kruja, qyteti ku prehet Shotë Galica

10 korrik 2021 | 00:09

Shkruan: Berat Luzha

Qyteti i ri i Fushë-Krujës është i lidhur ngushtë me qytetin e vjetër të Krujës. Aty ku sot gjendet qyteti i Fushë-Krujës dikur nuk kishte asgjë. Thuhet se vendbanimin e kanë krijuar bujqit krutanë, që kishin toka në fushë, një pjesë e të cilëve, për shkak të largësisë, kishin zbritur me banim në tokat e tyre në rrafsh. Më vonë aty u vendosën edhe të ardhur tjerë nga Kosova, Mati, Dibra e nga të gjitha viset tjera, si dhe nga fshatrat përreth. Fushë-Kruja ka marrë formën e qytetit pas çlirimit të vendit, kurse në vitin 1970 është shpallur edhe zyrtarisht qytet. Është ndërtuar 15 – 25 metra mbi nivelin e detit, përmes të cilës përshkon rruga e vjetër Tiranë – Shkodër.

Fushë-Kruja është nyje lidhëse mes Tiranës, Durrësit e Shkodrës. Aty lidhen rrugët për Vorë drejt jugut, për Burrel, drejt lindjes, për Shkodër, drejt veriut. Gjithashtu, nëpër Fushë-Krujë përshkon hekurudha Vorë – Shkodër. Qytetet më të afërme të Fushë-Krujës janë Kruja – 10 km, Vora – 13 km, Kamza – 13 km dhe Tirana – 22 km.

Me rreth 15 mijë banorë, Fushë-Kruja është qytet dhe seli e bashkisë, që bën pjesë në rrethin e Krujës. Ka pozitë të përshtatshme gjeografike, duke qenë nyje lidhëse e komunikacionit dhe në afërsi të qyteteve të mëdha; Krujë, Tiranë, Durrës, Laç e Lezhë. Gjithashtu, pozita e përshtatshme gjeografike i ka mundësuar një zhvillim ekonomik të respektueshëm.

Qyteti shtrihet në tokë shumë të begatshme, që njihet sidomos për kultivimin e drithërave dhe perimeve. Pos bujqësisë në Fushë-Krujë ndodhet një fabrikë e çimentos, e ndërtuar në vitin 1960, e paralizuar në vitin 1995 dhe e privatizuar në vitin 2000. Aty veprojnë edhe disa punëtori private për prodhimin e gëlqeres, të ziftit (bitumit), etj.

Një institucion i veçantë dhe specifik është Burgu i Fushë-Krujës, i quajtur zyrtarisht si Institucion i Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Burgu i Fushë-Krujës, i ndërtuar në vitin 2008, ka tri seksione; njëri i sigurisë së lartë, tjetri i sigurisë normale dhe i treti, seksion paraburgimi.

Fushë-Kruja nuk është e njohur si qytet turistik dhe as mysafiri i lartë, kryetari i 43-të i SHBA-së, Xhorxh W. Bush, nuk e ka vizituar këtë qytet si turist. Më 10 qershor 2007 Fushë-Krujën e vizitoi zyrtarisht njeriu më i fuqishëm i botës, duke i paralajmëruar shqiptarët për pavarësimin e shpejtë të Kosovës dhe për përfshirjen e shpejtë të Shqipërisë në paktin NATO. Banorët e qytetit e rrethinës, si dhe të gjithë shqiptarët, ndaj tij treguan mikpritje të ngrohtë e të rrallë, duke u bërë krenarë e mirënjohës përjetë për kryetarin amerikan, Bush. Fushëkrutanët e kanë emëruar sheshin kryesor të qytetit me emrin e tij dhe në shesh e kanë vendosur shtatoren e tij.   

Qyteti i Fushë-Krujës ka një përmendore të veçantë, varrezën monumentale të heroinës Shotë Galica, që gjendet në dalje të Fushë-Krujës, në rrugën e vjetër drejt Laçit. Këtë përmendore saherë e kemi vizituar, e kemi gjetur në gjendje të rëndë; herë të mbuluar nga therrat, herë të mbuluar nga pluhuri, herë rreth monumentit duke kullotur bagëtia! Një atdhetar (Avdi Fejzaj) gjatë luftës së Kosovës kishte dërguar para nga Gjermania për t’ia rregulluar sadopak varrin heronës sonë. Shota ka ikur nga Kosova në vitin 1926, pas vdekjes së Azem Galicës, duke marrë me vete disa fëmijë të shokëve të rënë e për t’i shpëtuar hakmarrjes serbe. Mirëpo, në Shqipëri nuk gjeti mirëkuptim e përkrahje institucionale. Vdiq në varfëri të skajshme dhe e sëmurë rëndë nga një plagë e luftës më 3 korrik 1927. Pak para se të vdiste, u shkruante autoriteteve të kohës: “Unë jam Shotë Galica, gruaja e Azem Galicës, prijësit të Lëvizjes Kaçake të Kosovës. Gjendem në fshatin Shullaz të Krujës, kam edhe katër fëmijë jetimë me veti. Janë fëmijët e luftëtarëve të vrarë për çlirimin e Kosovës. Jam e shtrënguar të ju njoftojë se jam duke vdekur nga uria bashkë me fëmijët jetimë”. A mos vallë, edhe sot është e harruar, sikur ishte atëherë kur jetoi e vdiq në Shqipëri?! Ishte një nismë para disa viteve që eshtrat e saj të barten në fshatin Galicë, ku e ka varrin e ri pranë bashkëshortit dhe bashkëluftëtarit, por nuk dihet pse kjo nismë ka ngecur. Shkolla e mesme e përgjithshme e Fushë-Krujës, që nga viti 1971, me krenari e mbanë emrin “Shotë Galica”.

Zona e Fushë-Krujës është nga më të ndoturat në vend. Fabrika e çimentos në Fushë-Krujë dhe fabrika tjetër e çimentos afër fshatit Borizanë, 4 – 5 km larg Fushë-Krujës, një fabrikë bitumi, një fabrikë e asfaltbetonit, në afërsi, si dhe guroret e paligjshme e furrat primitive të gëlqeres krijojnë ndotje shumë të madhe të mjedisit, me efekte të ndotjes dhe helmimit të ajrit, të ujit e të tokës. Kësaj gjendjeje i kontribuon edhe komunikacioni tejet i ngarkuar nëpër rrugët lokale dhe nacionale, veçanërisht qarkullimi i qindra kamionëve të zhurmshëm gjatë ditës. Të gjithë këta faktorë krijojnë ndotje të madhe të mjedisit me tym, pluhur e zhurmë, si dhe shkatërrim të natyrës. Edhe pse janë ndërmarrë shumë herë aksione për mbylljen e guroreve e të furrave ilegale të gëlqeres, që punojnë duke djegur goma, ato kanë vazhduar punën pa problem. Edhe lumi Ishëm, që përshkon nëpër territorin e Bashkisë së Fushë-Krujës, është shumë i ndotur, që ndotë fushat, por edhe bregun e detit, në grykëderdhjen e tij.

I gjendur në një udhëkryq rrugësh me qarkullim të dendur e të zhurmshëm të automjeteve, por edhe për mungesë të parkingjeve, Fushë-Kruja ndodhet në një kaos të vërtetë trafiku. Kamionë të rëndë vërtiten me zhurmë ngado që të shkosh rrugëve të ngushta të qytetit. Një unazë, që ka filluar moti, ende nuk dihet se kur do të përfundojë.

Nëpër qytetin e Fushë-Krujës kalon lumi Zezë, lumë që u shkakton probleme të shumta banorëve gjatë përmbytjeve. Mirëpo, ky lumë kohëve të fundit po rehabilitohet dhe sistemohet, duke u ndërtuar mbi të edhe një urë e re.

Qyteti dhe rrethina e Fushë-Krujës ishte ndër zonat më të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Për strehimin e familjeve të mbetura pa shtëpi, rreth 1 km larg qendrës së qytetit po ngritet lagjja e re “Rilindja”, një lagje bashkëkohore që do të shtrihet në 10 hektarë e do të ketë 15 pallate, 100 apartamente dhe 167 shtëpi individuale, si dhe hapësira publike; park, kopsht, çerdhe, qendër shëndetësore, treg, fushë sporti, parking etj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, e ka…