Futbolli turk do të rikthehet javën tjetër
Futbolli turk do të rikthehet javën tjetër me ndeshjet e ligës elitare që do të zhvillohen të martën. Krejt ligat turke u pezulluan për afat të pacaktuar pas sulmit në fushën e blertë që e bëri presidenti i klubit ndaj gjyqtarit, i cili përfundoi në spital me sy të ënjtur dhe me lëndime trupore, raporton “Reuters”.
Të hënën mbrëma, në fund të ndeshjes së Super Lig, presidenti i Ankaragucu, Faruk Koca hyri në fushë nga tribunat dhe e grushtoi në fytyrë gjyqtarin Halil Umut Meler.
Ky i fundit përfundoi i shtrirë në tokë, ndërsa u godit me shqelma në kokë dhe në trup nga zyrtarët tjerë të klubit. Koca u arrestua të nesërmen bashkë me dy zyrtarë të klubit dhe Federata e suspendoi krejt futbollin turk.
E sot, presidenti i Federatës Turke të Futbollit, Mehmet Buyukeksi njoftoi se futbolli në këtë vend do të rikthehet më 19 dhjetor.