Futbolli turk në zi, aksidenti i merr jetën lojtarit çek
Tragjedi e rëndë në futbollin turk. Mbrëmjen e së dielës një minibus që kishte në bord 7 lojtarë të skuadrës së Superligës turke Alanyaspor ka pësuar një aksident tragjik në të cilin ka humbur jetën, futbollisti i kombëtares çeke, Josef Sural.
Në minibus ishte edhe ish-sulmuesi i Newcastle United dhe përfaqësueses së Senegalit, Papiss Cisse, i cili bashkë me 5 lojtarët e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën.
Sural 28-vjeç, u transportua me urgjencë drejt spitalit më të afërt por nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra. E pabesueshme sesi një klub profesionist që pozicionohet në vendin e 5-të të Superligës turke nuk ka një autobus për t’u udhëtuar drejt transfertave dhe për të kthyer në Alanya, pasi në gjirin e saj Alanyaspor ka edhe lojtarë që paguhen me miliona euro.
Sipas asaj që ka thënë dhe presidenti i klubit, duket se aksidenti ka ardhur si pasojë e përgjumjes së shoferit. Futbollistët po ktheheshin në Alania, pas transfertës që kishin ndaj Kayserispor me një minibus të marrë me qira, raporton ‘tch’.
Një ngjarje e rëndë që futbollin e vendos në plan të dytë për momentin. Josef Sural ishte transferuar te Antalyaspor vetëm në janar të këtij viti nga Sparta e Pragës, por aventura e tij e parë jashtë Çekisë zgjati vetëm pak muaj dhe përfundoi në mënyrën më tragjike të mundshme.