Futbollistët nga Uruguai dhe Salvadori përforcojnë Lirinë
KF Liria është përforcuar me dy futbollistë të huaj. Përmes faqes zyrtare në “Facebook”, Liria ka bërë me dije se është përforcuar me mesfushorin e majtë nga Uruguai, Martins Pio, si dhe me qendërmbrojtësin Riascos Jhonny nga Salvadori.
“Në kuadër të përgatitjeve për edicionin pranveror, sot (e martë) Liria ka prezantuar dy transferimet e reja. Ata janë: Martins Aristegui Maickol Pio me origjinë nga Uruguai, që luan mesfushor i majtë dhe që vjen nga Al-Nabi Sheet Club nga Libani dhe Riascos Jhonny, qendërmbrojtës që vjen nga klubi Deportivo Dragon nga Salvadori”, thuhet në njoftimin e Lirisë.
Prezantimin e bënë anëtarët e Bordit të klubit, Nuredin Qollaku dhe Besim Xhambazi. “Përvoja e tyre e madhe, prej nga vijnë, do t’i ndihmojë ekipit. Presim edhe dy ardhje të reja, në ndërkohë që të plotësohemi si skuadër”, ka thënë për faqen e klubit, trajneri Vincenzo Alberto Annese. Një ditë më parë “bardhezinjtë” prezantuan edhe dy futbollistët e ardhur nga Venezuela, mesfushorët: Ramirez Valdivia Guillermo Abel, i ardhur nga klubi Margarita FC dhe Jimenez Vivas Luis Manuel nga klubi Gran Valencia FC.