Futbollisti Arbnor Ramadani “Ylli i Javës”
Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”.
Ky çmim për javën e 29-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të SC Gjilani, Arbnor Ramadani.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Agim Xhakolli, Besim Slishani dhe Blerim Haxholli.
Ky komision vendosi që epiteti i yllit të javës t’i takojë Arbnor Ramadani të SC Gjilani, ngase asistoi në dy golat e fitores së skuadrës së tij kundër Malishevës si mysafir (2:0).
Ai u vlerësua edhe për paraqitjen e mirë gjatë tërë ndeshjes në mesfushë dhe për kreativitetin që i dha lojës së gjilanasve.
Çmimin “Ylli i Javës” për futbollistin e SC Gjilani , Arbnor Ramadani e ndau Dardan Kajdomqaj, menaxher i shitjes në Albi Group.
Arbnori u shpreh i lumtur që për herë të dytë u vlerësua me çmimin ‘Ylli i Javës’, derisa theksoi se fitorja në Malishevë ka bërë që skuadra e tij të jetë afër arritjes së objektivit për ta siguruar daljen në garat evropiane edhe në këtë edicion.