Futbollisti i San Marinos: Ndaj Kosovës duam ta shijojmë ndjenjën e golit
San Marino nuk ka shënuar gol që nga nëntori i vitit 2019. Ky ekip synon ta rigjejë golin ndaj Kosovës nesër mbrëma, në miqësoren që do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Kundërshtari i ardhshëm i ekipit kombëtar të Kosovës synon ta shënojë të paktën një gol në stadiumin “Fadil Vokrri” nesër mbrëma.
San Marino vjen nga humbja e thellë nga Italia, 0:7 në një miqësore të zhvilluar ditë më parë, shkruan Gazeta Express.
E ndeshjen me “Dardanët”, ky ekip dëshiron ta shfrytëzojë për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet kualifikuese të Botërorit, që do të luhen në muajin shtator.
“Natyrisht, kemi adrenalinë për këtë ndeshje, do të përballemi me Kosovën. Është një angazhim yni, të cilin duhet ta shfrytëzojmë për ta bërë një hap përpara, që të përgatitemi sa më mirë për ndeshjet që peshojnë, ato të shtatorit. I kemi filluar përgatitjet në mënyrë të duhur”, deklaroi fillimisht futbollisti i San Marinos, Mirko Palazzi.
Ai ndërkohë e ka vlerësuar lartë ekipin e Bernard Challandes. Palazzi shpreson që ai me shokë ta gjejnë golin, i cili i mungon qe një kohë kësaj kombëtareje. Më saktësisht, San Marino nuk ka shënuar gol që nga nëntori i vitit 2019, kur realizonte ndaj Kazakistanit.
“Kosova ka lojtarë të rëndësishëm, ka prej tyre që luajnë në Serie A. Natyrisht, nuk është një ndeshje e lehtë. Edhe trajneri thotë, nuk ka miqësore. Do të jetë një provë tjetër, një tjetër ndeshje për të provuar që t’i testojmë karakteristikat tona dhe ndoshta ta gjejmë edhe golin, të cilin nuk e gjejmë qe një kohë. Shpresojmë t’ia dalim kësaj radhe”, përfundoi mbrojtësi Palazzi.
Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe San Marinos do të luhet nesër në stadiumin “Fadil Vokrri” duke filluar nga ora 18:00.