Futbollisti më i mirë në Superligë, i panevojshëm për Feronikelin

23 dhjetor 2019 | 18:45

Kastriot Rexha është vlerësuar i panevojshëm nga skuadra e Feronikelit, e cila në edicionin e kaluar, me golat dhe ndihmën e tij, arriti të shpallet kampion dhe fitues i Kupës. Rexha fitoi tri çmimet kryesore në futbollin e Kosovës, kurse vendimin e klubit nga Drenasi e ka quajtur të çuditshëm. Sulmuesi më i mirë në vend ka konfirmuar për “Epokën e re” se mezi po pret të fillojë sfidën e re në kërkim të titujve të rinj.

KF Feronikeli nga Drenasi javë më parë njoftoi se nuk llogaritë në shtatë lojtarë, në mesin e të cilëve edhe sulmuesin kryesor Kastriot Rexha. Ky vendim është dukur i çuditshëm nga drejtuesit e kampionëve, pasi Rexha ishte lojtari që në shumicën e ndeshjeve ishte vendimtar dhe njëri nga kontribuuesit më të mëdhenj në garën për titull dhe për Kupë. Pavarësisht kësaj, Rexha u vlerësua lart nga trajnerët e Superligës, pasi fitoi tri çmime të premten në shpalljen e “Laureatëve 2019” nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Sulmuesit prishtinas i takoi çmimi i futbollistit më të mirë, çmimi i golashënuesit të vitit dhe ai ishte edhe në formacionin më të mirë. Lidhur me këto çmime, Rexha për “Epokën e re” i ka falënderuar bashkëlojtarët dhe klubin e “Niklit”, të cilët i konsideron bashkëmeritorë për suksesin e arritur.

“Jam shumë i lumtur me trofetë e fituar dhe mendoj se i kam merituar plotësisht, sepse kemi pasur një edicion të shkëlqyeshëm me Feronikelin. Falënderoj bashkëlojtarët dhe gjithë ata që kanë qenë bashkudhëtarë në këtë sukses. Unë do të vazhdoj të punoj si gjithmonë dhe ta jap kontributin në cilindo klub që jam i angazhuar”, ka thënë Rexha. Sulmuesi në fjalë më pas foli për herë të parë edhe për vendimin e klubit që ai të lihet i lirë nga klubi i “Niklit”. Ai ka thënë për gazetë se e respekton vendimin e klubit, kurse koha do të dëshmojë se kush është në rrugë të drejtë. “Klubi e ka parë të arsyeshëm që unë të lihem i lirë, pasi beson se i duhen lojtarë të tjerë për të ardhmen. Unë i respektoj vendimet e klubeve dhe koha do të dëshmojë se ka apo jo të drejtë”, ka shtuar ai.

I pyetur se a është befasuar nga ky vendim i klubit, sulmuesi më i mirë në vend, ka deklaruar: “Po, normalisht. Në bazë të asaj se kam treguar dhe po vazhdoj të tregoj, është vendim për t’u çuditur. Mezi pres të filloj një aventurë të re, me synimet e vjetra, për të fituar edhe tituj”.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Prishtinë,…