Futbollisti nga Kosova, Lir Ukaj nis karrierën profesionale në Kroaci
Kosova dhe Kroacia kanë një traditë të shkëlqyeshme të bashkëpunimit në futboll. Shumica e futbollistëve të suksesshëm nga Kosova kanë kaluar përmes futbollit kroat për të vazhduar tutje karrierën e tyre profesionale.
Nga Kujtim Shala, Ardian Kozniku, Amir Rrahmani, Ardian Ismajli, Emir Sahiti dhe tash së fundmi Lir Ukaj, 18-vjeçari premtues nga Kosova, i cili nga sivjet nis karrierën e tij profesionale në ligën e dytë kroate, te klubi “NK Hrvace”.
Siç shkruan e përditshmja kroate “Slobodna Dalmacija”, nënshkrimi i kontratës profesionale të Lir Ukajt me “NK Hrvace” u mundësua nga menaxheri kroat, Nenad Gavriloviq – “Neno”, i cili vitin e fundit, është vendosur në Kosovë dhe ka hapur agjencinë për menaxhimin dhe transferimin e futbollistëve “Nora Sport”.
“Kosova është Brazili evropian”, deklaron Neno, duke treguar se në Kosovë po vëzhgon shumë talentë të rinj.
“E dija që ishin të mirë, por kaq shumë… është një minierë e vërtetë”, rrëfen me entuziazëm Neno për futbollistët nga Kosova. Dhe si rezultat i punës së tij, ai realizoi kohë më parë, transferin e parë nga Kosova, të riun Lir Ukaj me shtetësi të dyfishtë, kosovare dhe franceze, i cili tash e tutje karrierën e tij profesionale do ta vazhdojë në Kroaci, në vendin i cili në 30 vitet e fundit konsiderohet superfuqi e futbollit evropian dhe botëror.